Para shumë vitesh, familja jonë e vogël po udhëtonte me një anije tregtare nga Europa drejt misionit tonë të ri të shërbimit në Amerikën Jugore. Për shkak të vonesave të gjata të ngarkimit të mallrave të anijes, u gjendëm duke lundruar në mes të dimrit në Mesdhe në të njëjtën periudhë të vitit në të cilën apostulit Pal iu fundos anija në brigjet e Maltës. 1 Po bënim shaka lidhur me atë që ndodhi dhe rastësisht u lutëm që të mos kishim fatin e tij.

Dhe ndodhi. Vetëm dy ditë pasi kishim lënë portin, na kapi një stuhi e fuqishme me shtrëngata. Edhe pse anija jonë ishte e ngarkuar plot dhe e zhytur thellë në ujë, po tundej shumë fort. Fëmijët ishin të vegjël dhe po argëtoheshin pa masë, por ne të tjerët po përpiqeshim të ruanim qetësinë dhe të kontrollonim stomakun. Edhe anëtarëve me eksperiencë të ekuipazhit po iu përzihej nga lëkundjet.

Dëgjuam në radio edhe për anije të tjera, gjithashtu në vështirësi. Nuk mund të bëja gjë tjetër për të ndryshuar situatën veçse të lutesha. Dhe u luta, siç nuk isha lutur kurrë më parë!

Shko tek ura e anijes! E njoha menjëherë zërin e Jezusit në mendjen time. Edhe kapiteni po lutet. Lutu bashkë me të dhe inkurajoje në besimin e tij.

Kur u ngrita në këmbë dhe hodha hapat e parë duke u penguar, nuk e dija se si do t’ia dilja deri tek ura, por ia dola. Kapiteni po qëndronte atje i vetëm, dhe vërtetë, po lutej. U lutëm të dy së bashku derisa kaluam poshtë brigjeve Siçiline, ku dhe gjetëm mbrojtje nga stuhia. Anija dhe ngarkesa kishin pësuar disa dëme, por askush nuk ishte lënduar.

Mësimet e nxjerra nga kjo përvojë më erdhën sërish në mendje kohët e fundit, gjatë një periudhe të vështirë: Çohu dhe shko tek ura, sikur më udhëzonin, dhe mbahu fort pas dorës së Kapitenit. Jezusi është Piloti ynë dhe së bashku me Të shumë shpejt do të gjendemi në ujëra të sigurta.

Është në natyrën e njeriut që t’i shmanget vështirësive, të fshihet dhe të shpresojë që ato të largohen, por nuk është kjo mënyra për të fituar. Mos u dorëzo përpara stuhive. Betejat e jetës ndonjëherë duken si të pakapërcyeshme, por ia vlen të luftosh për fitoren.


  1. Shih Veprat e Apostujve 27–28.