Ka pasur raste që më është dukur sikur shtiresha si njeri i mirë. Për shembull, kur punoja si vullnetar për të ofruar ndihmë pas tërmetit në Tohoku dhe cunamit në Japoni në vitin 2011. Një pjesë e imja donte vërtetë të ndihmonte dhe të sillte ndryshim, por e dija gjithashtu se po bëja atë që duhej të dëshiroja të bëja, dhe kënaqesha kur më shihnin si dikush që dëshironte të ndihmonte.
Në atë kohë u dhashë me mish e shpirt pas asaj pune. Ishte bukur të ndiheshe i dobishëm dhe akoma më bukur kur shquheshe për këtë gjë. Shumë shpejt nisa të mendoj se përse të tjerët nuk bënin aq sa unë dhe fillova t’i shikoja me përbuzje. Nuk m’u desh shumë për ta kuptuar.
Kjo ndodhi një mëngjes, kur si për ironi të fatit, fjeta më shumë se sa duhej. Isha caktuar të drejtoja karavanin që nisej për Tohoku në orën 6:00, por nuk më ra zilja dhe u zgjova në 6:15. Kërceva nga krevati, nxitova të bëhesha gati sa më parë duke pyetur veten se si munda të zgjohesha aq vonë. E dashura ime kishte bërë plan të vinte me mua, por e kisha aq me ngut sa nuk e prita.
Ndërsa ecja, kisha një ndjesi negative se diçka nuk po shkonte siç duhej, por kisha edhe një dhimbje të tmerrshme koke dhe vullnetarë energjikë në makinë që nuk pushonin së foluri, kështu që u përpoqa të mos i kushtoja shumë vëmendje. Kisha një orë që udhëtoja dhe kisha marrë shumë mesazhe nga e dashura ime, të mbushura me zemërim dhe që mbaronin me “të urrej.”
Kisha 5 orë kohë udhëtimi për të menduar për të, dhe sa më shumë e bëja, aq më shumë e urreja edhe unë veten. Gjatë muajve të kaluar kisha “lënë prapa” edhe njerëz të tjerë, sepse nuk tregoheshin të zotë ose sepse doja të isha gjithmonë vetë në krye.
Telefonova të dashurën atë natë dhe i kërkova të më falte dhe më pas bisedova pak me Jezusin, duke i kërkuar edhe Atij të më falte. Dua të besoj se disa gjëra ndryshuan atë ditë. Jo lidhur me atë që bëra, por me mënyrën se si e bëra. Kam ende shumë objektiva, por dua t’i arrij ashtu siç do t’i kishte arritur Jezusi, me dashuri e mirësi. Kjo është mënyra e vetme që ajo që ndërtoj të jetojë dhe të ketë kuptim.