Një shok po më tregonte një foto që kishte bërë në Kopshtin Kombëtar Shinjuku Gyoen – një park i madh në mes të Tokios. Në të dukej një qiell i kaltër brilant që kufizohej me pemë jeshile. Kur e përgëzova për foton e bukur, atij iu bë qejfi dhe më tha: “Në fakt po e shikon me kokëposhtë. Ky është pasqyrimi i qiellit mbi liqen.”

E pashë më nga afër dhe kuptova që kishte të drejtë. Ajo për të cilën unë kisha menduar se ishte pamja, ishte në fakt pasqyrimi i saj mbi sipërfaqen e liqenit, pothuajse si iluzion optik. U mahnita se sa qartë ishin pasqyruar qielli dhe gjërat përreth mbi ujin e qetë. Më bëri të mendoj se sa e mrekullueshme do të ishte nëse jeta ime do të pasqyronte kaq bukur paqen dhe qetësinë e parajsës.

Zoti do që unë të rri i qetë, sepse Ai ka çdo gjë nën kontroll dhe kujdeset për ne. Ai thotë: “Ndaluni dhe dijeni që Unë jam Zoti.” 1 Por, kur gjërat nuk shkojnë mirë, rrymat e vështirësive mund të shkaktojnë trazira në shpirtin tim dhe të më bëjnë të ndiehem i dekurajuar. Kur ndodh kështu, të tjerët shohin vetëm valët e ndryshueshme të shpirtit tim të trazuar, jo pasqyrimin e qetë të parajsës.

Nuk mund t’i shmang stuhitë e jetës, por ama ato nuk kanë pse më largojnë nga paqja e Zotit. Unë mund të kapem pas premtimit se nuk do të kem më shumë sprova nga sa mund të duroj; Zoti gjithmonë do të na mundësojë një rrugëdalje. 2. Ai është gjithmonë gati dhe në gjendje për të ofruar diçka pozitive nga çdo situatë, nëse ndjenjat e mia janë të sinqerta dhe kthehem nga Ai për udhëheqje dhe ndihmë. 3. Kështu që kur ndodhin probleme, jam përpara një zgjedhje. A do u shfaq të tjerëve përfytyrimin e një deti të trazuar nga stuhia? Apo ata do të shohin paqen e parajsës të pasqyruar në veprimet dhe sjelljen time?


  1. Psalmet 46:10
  2. Shih 1 Korintasve 10:13
  3. Shih Romans 8:28; Psalmet 46:1