Kur po kaloja moshën e fëmijërisë dhe po shkoja drejt adoloshencës, isha një vajzë e vetmuar dhe kisha shumë ankth. Kurrë nuk kisha një shoqe të ngushtë. Dëshiroja të kisha dikë më të cilën të ndihesha rehat për të ndarë gjithçka, dikë që do të më tregonte çdo sekret të vetin, një miqësi ku të mirëkuptohesha dhe të pranohesha, të isha thjesht “vetvetja”. Por pyesja veten mos ndoshta ato lloj miqësish ekzistonin vetëm nëpër libra.
Megjithatë, kur mbusha 14-vjeçe e gjeta atë lloj shoqeje! Që nga dita e parë që u njohëm, dukej sikur Stefania dhe unë njiheshim prej kohësh. Kishim besim tek njëra-tjetra dhe ndihesha mirë me të, pa ankthin e zakonshëm.
Kishim hobe dhe dëshira të përbashkëta, dhe kishim pothuajse të njëjtin opinion për shumë gjëra. Familjet tona bënin shaka duke thënë se kishim të njëjtin tru, sepse shpesh përfundonim fjalitë e njëra-tjetrës.
Kur ndoqa thirrjen time për të shkuar misionare në një shtet tjetër, e ndjeja shumë mungesën e Stefanisë. Por e dija që do të ishim në kontakt. Nuk gjen një mikeshë të tillë çdo ditë. I shkruajtëm disa herë njëra-tjetrës. Për ditëlindjen time ajo më dërgoi edhe një vizatim me dy ujqër dhe një shqiponjë, si dhe një letër plot me lajme ku më shkruante edhe për planet që kishte për të ardhmen. Ishte letra e fundit që mora prej saj.
Por, mora një telefonatë nga një vend shumë i largët një javë më vonë. Stefania ishte përplasur nga një kamion që po ecte me shpejtësi të madhe ndërsa ajo ecte me biçikletë në një rrugicë malore me të dashurin e saj. Kishte vdekur brenda pak orëve.
Nuk mund të flisja. Bota papritur m’u duk e zbrazët nga gjyrat dhe nuk ngopesha me frymë. U bllokova në karrige dhe u mbyta në lot. Si ka mundësi që vdiq? Përse Stefania? Nuk kishte bërë as 18 vjeç. Ajo kishte aq shumë ëndrra. Ajo donte ta bënte botën më të mirë dhe e dija që do të bënte gjëra të mëdha. Dëshironte të martohej e të kishte fëmijë. Ishte shoqja ime, shoqja ime më e mirë. Përmes ngashërimesh që më buronin nga shpirti, më dukej sikur zemra m’u bë copë-copë. Pyesja Zotin, “Përse?”
Papritur, ndjeva diçka … diçka më shumë se një mendim, më shumë se një ndjenjë. Ndërsa pak më parë isha mbushur plot me dhimbje e dëshpërim të thellë, tani isha mbushur me një ndjenjë e mrekullueshme lehtësimi dhe gëzimi.
Mendjen ma përshkoi një shprehje: Ah sikur ta dije si është këtu! Ndjeva praninë e Stefanisë–vetëm për pak çaste, por mjaftoi. Sikur po më thonte se ishte mirë. E dija që ndodhej në një vend më të mirë, një vend të mrekullueshëm, plot jetë dhe dritë, përtej imagjinatës sime. Dhe e dija që do e shihja sërish.
Më la me një bindje të paharrueshme se çdo jetë ka një qëllim më të thellë nga ai që unë mund të kuptoj. Jeta e Stefanisë e kishte një qëllim shumë të bukur; madje edhe vdekja e saj. Edhe nëse s’mund ta kuptoj tani, besoj se një ditë do mundem.
Dhe kur të vijë ajo ditë, çdo lot që përpiqet të na turbullojë shikimin, do të zhduket. Atë ditë, ne do të takojmë Jezusin ballë për ballë. Atë ditë ne do të bashkohemi me ata që i deshëm shumë dhe që i humbëm për një farë kohe. Ajo ditë do të zgjasë përjetësisht.