“Nëse mund ta ngjisim këtë mal, s’ka gjë të cilën s’mund ta kalojmë së bashku!”
Mbaj mend babin që përpiqej të buzëqeshte dhe të na jepte zemër teksa tregonte me shenjë një mal shkëmbor rreth 30 metra larg nga autostrada. Isha 13 vjeç dhe bashke me babin dhe vëllanë e madh po udhëtonim përmes shkretëtirave të nxehta të Meksikës, duke u kthyer në Shtetet e Bashkuara për të mbaruar disa punë.
Prindërit e mi kanë bërë punë misionare, me kohë të plotë, në Meksikë, de mua më pëlqente të isha pranë tyre, në çdo hapë. Jeta qe e bukur aty dhe e shijoja shumë.
Gjithsesi, në këtë periudhë, gjërat nuk ishin mirë. Prindërit e mi po hasnin disa vështirësi në martesën e tyre, dhe vendosën që të jetonin të ndarë për disa muaj. Mami ishte shpërngulur disa javë më parë dhe unë isha e shqetësuar dhe vrisja mendjen nëse ajo do të kthehej më.
Gjatë kohës më të madhe të udhëtimit, vura re se im atë po përballej me vështirësinë e situatës. Ai dukej i trishtuar, i shqetësuar dhe i lodhur. Ajri ndihej i rëndë me një ndjesi mërzie dhe pasigurie. Në të njëjtën kohë, që të tre ne filluam të ndiheshim fizikisht të sëmurë, kishim dhimbje koke, kryesisht të shkaktuar nga nxehtësia, por gjithashtu nga të gjitha emocionet. Mbaj mend që ndiheshim sikur do të shpërthenim në lot, nga çasti në çast. Vazhduam në të njëjtën gjëndje për thuajse një ditë të tërë, kur papritur, në mes të askundit, babi ndaloi makinën.
E shoh ende shprehjen që mori fytyra e babit. Lotët që mundohej të mbante, dukeshin sikur ndriçonin në sytë e tij, ndërkohë që doli nga makina dhe na tha të shkonim me të. Pa pikë dëshire, me një sjellje tipike adoleshentësh, ne zbritëm ngadalë nga makina. Rreth 35 metra më tutje ngrihej kreshta e madhe e malit, e gjitha prej shkëmbi. Ishte të paktën një qind metra e lartë dhe jam e sigurt që s’kishte asnjë rrugë që të çonte për në majë.
Nxehtësia shtohej teksa ne ngjisnim shkëmbinjtë, më pas, shpejt e shpejt shikonim pas për t’u siguruar që aty s’kishte ndonjë gjarpër me zile apo kojotë endacake. Qëndruam aty në heshtje, duke vrarë mendjen se çfarë duhet të bënim, kur foli babi:
“Nëse e ngjisim këtë mal, s’ka gjë që s’mund ta kalojmë së bashku!”
Disi ai e dinte që ky ishte shërimi për të cilin secili prej nesh kishte nevojë.
Çuditërisht, unë dhe im vëlla, edhe pse ndiheshim të tmerruar, nuk diskutuam me të. Unë qëndrova aty, duke parë kodrën shkëmbore, dhe në fakt, ndihesha e sfiduar ta provoja. Sigurisht që ishim të lodhur, të sëmurë dhe të trishtuar, por duke parë majën, e dija që do të ndihesha mirë po ta arrija, sikur do të kisha pushtuar shkëmbinjtë.
Lamë kamionin në anë të rrugës dhe pa parë mbrapa apo pa ndaluar të merrnim gjë me vete, nisëm të ngjiteshim. Pas dhjetë minutash ngjitjeje, nisëm të bënim biseda të shkurtra teksa gjenim rrugën përmes gurëve dhe hendeqeve, një “Faleminderit, babi” këtu dhe “Të lumtë, u ngjite shpejt!” aty. Kjo i lehtësoi parehatitë tona dhe na ndihmoi të përqendroheshim te sfida që kishim ndërmarrë.
Tani, kur e kujtoj atë ngjitje në mal, ishte sikur ne po linim pas dhimbjen dhe frikërat teksa ngjiteshim. Po ngrinim duart në shenjë dorëzimi dhe po i thoshim Jezusit, “Ne kemi besim tek Ty.”
Ka shumë emocione dhe pyetje të pa thëna në fund të zemrës sime. U përpoqa të isha e fortë për hir të tim eti dhe nuk e kisha kuptuar që ato ndjenja dhe ato frikëra ishin aty. Por teksa ngjiteshim akoma më lart, ndihesha sikur barra e rëndë dhe shqetësimet po binin nga shpatullat e mia dhe po i linim pas në çdo gur apo shkëmb që kalonim.
Na u deshën dy-tre orë nën diellin përvëlues para se të arrinim në majë, dhe afër majës, era po frynte dhe dielli filloi të perëndonte me një shkëlqim të verdhë dhe një nuancë të mrekullueshme portokajsh. Mbetëm pa frymë, si nga ngjitja dhe nga bukuria panoramike që patëm privilegjin të shihnim. Ne qeshëm, folëm dhe e lejuam veten të ndienim dashurinë e Krijuesit tonë të madh. Lamë pas krahëve telashet tona dhe na u kthye buzëqeshja në fytyrë. Edhe pse të raskapitur, mbaj mend që ndihesha shumë e gjallë, shumë e lirë.
Nga ai mal zbritëm të ndryshuar dhe të freskët. Thjesht e dija që gjithçka do të ishte mirë. Dhe qe, pavarësisht faktit që prindërit e mi në fund i rregulluan problemet mes tyre dhe mami u kthye. Zoti na preku zemrat nëpërmjet bukurisë së natyrës së Tij dhe me ilustrimin e thjeshtë të ngjitjes së një mali; Ai na tregoi se s’kishte gjë të cilën ne s’mund ta kapërcenim! Dhe Ai u sigurua që ne të ndjenim dashurinë dhe praninë e Tij.
Ka dy arsye pse nuk do ta harroj kurrë atë ngjitje në mal:
E para, nga mënyra sa ndryshe e ndjeva praninë e Jezusit. Teksa qëndroja në majë të atij mali shkëmbor, u ndjeva e lumtur, e sigurt dhe e dashur, kur të gjitha emocionet e mia të mëparshme, më jepnin çfarëdo lloj ndjesie, veç kësaj. Ishte e mbinatyrshme dhe sureale.
Arsyeja e dytë ishte se e pata që qartë se nuk kisha pse ta “shëroja” veten. S’m’u desh të mundohesha për të kapërcyer emocionet. S’m’u desh të punoja fort; s’ishin duart dhe grunjtë e mia në ankth dhe në dëshpërim. Thjesht u qetësova dhe e lashë Jezusin t’i fliste qetësisht zemrës sime përmes erës dhe maleve, si dhe përmes ndjenjës së gëzimit që arritëm majën. S’ishte gjë tjetër, veçse ta hidhja veten në krahët e Tij të fortë, duke ditur se Ai do të më kapë.