Bo ishte labradori ynë i artë, të cilit i pëlqente shumë të notonte në pishinën tonë. Ai jetonte për t’u ushtruar dhe pishina ishte toka e tij. Një ditë, im bir po mësonte zhytje të reja dhe provoi pluskimin e njeriut të vdekur. Bo vendosi se djaloshi i tij ishte në rrezik dhe u hodh në pishinë ta shpëtonte. Në mënyrë instinktive, ai e ngriti kokën e tim biri lart dhe u kap me putra pas tij në përpjekje për t’i shpëtuar jetën. Djalit tim të gjorë iu zu fryma dhe po bërtiste duke u përpjekur të mbante Bo-në larg dhe përfundoi me ujë në mushkri dhe me një kraharor plot të gërvishtura.
E lavdërova Bo-në kur po më spërkaste ngado me ujë për të marrë mendimin tim mbi ngjarjen. E dija që ai kishte bërë më shumë dëm, sesa mirë, por e kuptoja, sepse e di që edhe unë kam bërë shpesh të njëjtën gjë në ndërveprimin me të tjerët.
Disa ditë më parë, po flisja me dikë rreth marrëdhënies së tyre me adoleshentët dhe i ofrova këshillat e mia. Pas rreth dyzet viteve përvojë si prind, gjysh dhe në mësimdhënien e adoleshentëve, këshilla ime e mençur ishte e thjeshtë: “Mos i merrni gjërat personale.”
Nuk është e vështirë të reagosh me bezdi, zemërim, apo ndjeshmëri kur ndihesh sikur po të kundërshtojnë. Është e vështirë të mos i marrësh fjalët dhe veprimet jo të mira personalisht, pa menduar për të gjitha herët kur doje të bëje gjëra të tjera, por ndalove, dëgjove, dhe përmbushe nevojat e fëmijëve të tu.
Është e vështirë të qëndrosh në cep të pishinës proverbiale dhe të shikosh dhe të lutesh, duke ditur se ke thënë gjithçka që duhej thënë dhe ke bërë çfarë munde. Tani është koha që thjesht të zmbrapsemi dhe t’i lëmë ta provojnë. Le t’i lëmë të bëjnë zhytjen e ngathët. T’i lëmë të bëjnë zhytjet e reja. T’i lëmë të imitojnë miqtë e tyre. Por mos u hidhni në pishinë si Bo-ja dhe të përpiqeni t’i shpëtoni ata para kohe. Vetëm shikoni dhe prisni, në rast se ata ju thërrasin për ndihmë. Dhe lutuni. Sepse në fund, lutja dhe dashuria pa kushte janë ato që përbëjnë ndryshimin.
Nëse në fund të thërrasin, mos i qorto ata për gjitha herët që nuk e bënë. Nëse ata trokasin në derën tënde, mos u thuaj që je shumë i zënë. Ji spiranca. Ji shkëmbi. Ji vendi i qëndrueshëm në një botë të paqëndrueshme dhe bëju të ditur se gjërat do të jenë shumë mirë. Më pas, ruajeni atë moment me një përqafim dhe jepuni atyre besimin të hidhen përsëri në pishinë.