Një ditë vura re që shoqja ime stomatologe, Dr. Rina, dukej pak e trishtuar. Shpesh takohemi për kafe, por sot Rina nuk ishte vetja e saj e zakonshme plot energji. E pyeta se çfarë kishte dhe ajo u përgjigj:
“E po, Krishtlindjet po afrohen dhe unë thjesht ndihem paksa e trishtuar. Siç e di, të dy fëmijët e mi janë të martuar dhe jetojnë shumë larg. Dhe nuk kam ende nipër e mbesa.”
Duke menduar për gjendjen time, mund të identifikohesha lehtësisht me Rinën. Fëmijët e mi janë gjithashtu të rritur, të martuar dhe jetojnë jashtë shtetit. Edhe pse kam nipër e mbesa, ata janë larg dhe unë nuk para kaloj kohë me ta.
“Të kuptoj shumë mirë, Rina,” i thashë. “Gjendem në një situatë të ngjashme. Të ta them se ç’më ndihmon mua?”
Vazhdova t’i tregoja Rinës se si punoja si vullnetare çdo javë në një jetimore vendase, dhe se si kalimi i kohës me jetimët nuk i bën mirë vetëm atyre, por më ndihmon gjithashtu edhe mua. Gjithmonë dal prej andej e lumtur dhe e frymëzuar që munda të bëja diçka të mirë dhe të ndihmoja të tjerët. Në fakt, nuk jam edhe aq e sigurt se kush përfiton më shumë, unë apo jetimët!
Duke parë që Rina kishte nevojë për diçka për të hequr mendjen nga situata e saj, i tregova asaj mbi një projekt të afërt në jetimore.
“Duam ta bëjmë Krishtlindjen të veçantë për jetimët. Kemi nevojë të zgjedhim dhuratën e duhur për gjithsecilin. Do të ishe e gatshme të ndihmoje?”
Fytyra e Rinës shndriti. “Po,” u përgjigj ajo. “Do të më pëlqente shumë.”
Javët në vijim, e pajisur me një listë psonisjeje me dëshirat e jetimëve, të detajuara edhe me përmasat dhe ngjyrat, Rina ishte e zënë duke psonisur për jetimët. Ajo ishte aq e merakosur me gjetjen e dhuratave dhe që çmimet të përputheshin me buxhetin e limituar, saqë ajo s’kishte kohë të mendonte për veten.
Ditën e festimit të Krishtlindjes për jetimët, Rina erdhi e lumtur tek unë dhe mezi po priste të fillonte me paketimin e dhuratave.
Përgjatë ditës, vura re si Rina kishte pësuar një transformim të plotë. Ishte ajo që ia shpërndau dhuratat jetimëve dhe sa herë që e shikoja, ajo ishte e ngazëlluar, plot lumturi dhe të qeshura.
Rina gjeti sekretin për lumturinë e vërtetë: Jep veten duke ndihmuar të tjerët dhe lumturia do të të gjejë!