Pak kohë më parë po shikoja një video udhëzuese për mënyrën se si të krijojmë zakonin e studimit të rregullt të Biblës. Mësuesja po shpjegonte se qëllimi ynë kryesor duhet të jetë thellimi i marrëdhënies me Zotin dhe pastaj, me një shkëlqim në sy, tha: “Kjo nuk mbaron kurrë!”
Më mbeti mendja te këto fjalë. Nuk mbaron kurrë! Të njohim Zotin në gjithë madhështinë dhe lavdinë e Tij është një udhëtim që zgjat gjithë jetën… dhe madje as atëherë nuk përfundon. Apostulli Pal e tha bukur: sot e kuptojmë Zotin si të shikonim përmes një pasqyre të vjetër e të mjegullt, por në përjetësi do ta shohim me qartësi të përsosur, ashtu siç Ai na njeh neve.
“Tani shohim si në një pasqyrë të mjegullt, por atëherë do ta shohim ballë për ballë. Tani njoh pjesërisht, por atëherë do të njoh plotësisht, ashtu si edhe unë jam njohur plotësisht nga Perëndia” (1 Korintasve 13:12).
Sa kohë do të na duhet për ta njohur plotësisht Zotin? Vetëm Ai e di. Por kemi gjithë përjetësinë për këtë aventurë të mahnitshme.
“Ky është Perëndia ynë, përjetë e për gjithmonë; Ai do të na udhëheqë përgjithmonë” (Psalmi 48:14).
Dhe kjo është pjesa më e bukur! Është si një çift i sapomartuar që po mësohet njëri me tjetrin — përpara kanë vite me përvoja, gëzime, e edhe sfida. Me kohë, jetët e tyre bashkohen gjithnjë e më shumë, ndërsa zbulojnë thellësitë e shpirtit të tjetrit. Po kështu është edhe udhëtimi ynë me Zotin. Ai ecën dorë për dore me ne, duke na zbuluar natyrën e Tij hap pas hapi, dhe kënaqet teksa e njohim gjithnjë e më shumë. Çfarë mundësie emocionuese!
“Oh, thellësia e pasurisë, e urtësisë dhe e njohurisë së Perëndisë!” (Romakëve 11:33).
Ky numër i Activated eksploron disa aspekte të natyrës së Zotit: qëndrueshmërinë dhe besnikërinë e Tij (faqe 3), mëshirën dhe dashurinë (faqet 8–9), si edhe sovranitetin, mirësinë, ngushëllimin dhe praninë e Tij (faqet 12–13). Artikulli kryesor ofron një studim të thelluar mbi Trininë (faqet 4–6).
Sa inkurajuese është të dimë se nuk kemi nevojë t’i kuptojmë të gjitha rrugët e Zotit përpara se të fillojmë udhëtimin tonë! Ai na ka premtuar se do të jetë me ne dhe do të na udhëheqë në çdo hap të rrugës.
Udhëtim të mbarë!