Islandezët e suksesshëm ishin cituar në një artikull gazete kohët e fundit duke i dhënë përgjigje të njëjtave pyetje. Një përgjigje për pyetjen “A keni ndonjë këshillë për jetën për lexuesit?” – më tërhoqi vëmendjen: “Të dielën, gjithmonë priteni me padurim javën që vjen.”
E lehtë të thuhet! Mendova.
Puna si infermiere në një azil të moshuarish është shumë stresuese. Edhe pse punoj me turne, java e punës zakonisht më fillon të hënave në mëngjes. Shumë shpesh ndihem pak e irrituar të dielave në mbrëmje kur mendoj për javën që më pret, sesa pak gjëra bëra gjatë fundjavës, apo për faktin se nuk pushova sa duhet. Madje ndonjëherë filloj të ndihem e irrituar që të dielën në mëngjes.
Kur ndihem kështu përpiqem të jem pozitive dhe të falenderoj Zotin për të mirat që më ka dhënë, por shpesh ajo kthehet në kërkesa për këtë ose atë gjë. Kështu që kthehet në një kohë lutjeje, e cila s’është keq, por që nuk m’i ndryshon ndjenjat e mia lidhur me fillimin e javës së punës.
Një të dielë, vendosa të provoj ta zbatoj këtë këshillë, dhe nisa të përsërisja me vete–ndonjëherë edhe me zë të lartë–“Me zor po pres të shkoj në punë.”
Filluan të më vijnë në mendje njerëzit me të cilët punoj dhe kuptova sesa shumë doja që t’i takoja. Pastaj mendova për një pacient në veçanti, i cili gjithmonë gëzohet shumë kur më sheh. Çdo të hënë, më përshëndet me një buzëqeshje të gëzueshme, dhe më thotë diçka të tillë: “M’u bë qejfi që të pashë. Na mungove gjatë fundjavës.” Kuptova se nuk mund ta ndërroja atë gjë me asgjë tjetër.
Kjo më ndihmoi ta shoh gjithë situatën nga një këndvështrim më pozitiv dhe më bëri të mendoj për gjithë gjërat e mira që kam patur që kur fillova këtë punë. Gjithmonë jam ndjerë se kam lindur për të qenë infermiere dhe këto ngjarje më sollën ndër mend sesa shumë e dua punën time.
Kam filluar ta bëj këtë edhe gjatë rrugës për në punë. Më bën të buzëqesh dhe të kem një pamje të gëzueshme kur dal nga ashensori dhe hyj në repartin e katit të katërt. Reparti im i dashur–sa shumë më ka munguar gjatë fundjavës!
Tani, fundjavat më duken shumë të gjata! Vendi im është tek departamenti i infermierisë!