Pas më shumë se 40 vitesh, kjo ngjarje nga pushimet në Skoci ka mbetur ende e gjallë në kujtesën time. Atë mëngjes, unë dhe shoku im Adriani dolëm nga hoteli në Fort William, me synimin për të ngjitur Ben Nevis, malin më të lartë të Britanisë (1344 metër i lartë). Ishim një çift adoleshentësh aventurierë dhe nuk u dhamë rëndësi banorëve vendas të cilët na paralajmëruan se nuk ishte ditë e përshtatshme për t’u ngjitur.
Morëm rroba të trasha, çizme të forta, sëpata për të larguar akullin, dhe karamele me mente (që përdoren shumë nga alpinistët për shkak të përmbajtjes së lartë të energjisë që kanë) dhe filluam të ngjitemi edhe pse dielli i zbehtë dimëror po mbulohej nga retë. Kishim zgjedhur ngjitjen më të vështirë të vargmaleve të veriut, dhe të rrethuar nga një shtresë e bardhë bore dhe mjegulle, shumë shpejt humbëm gjithë fushëpamjen.
Vazhduam të ngjiteshim përgjithësisht në heshtje. Unë mbaja busullën, hartën dhe librin udhërrëfyes — edhe pse përdorimi i tyre në ato rrethana ishte i kufizuar. Kur mendova se gjeta një pikë referimi, ndalova për të kontrolluar situatën përreth… dhe pashë se Adriani nuk ndodhej aty! Picërova sytë dhe u zmbrapsa i alarmuar: vija e hollë gri vetëm pak centimetra larg nga këmbët e mia ishte buza e greminës. I shokuar, mendova se shoku im kishte rënë poshtë.
Reagimi i menjëhershëm dhe spontan që pata ishte lutja për sigurinë e tij. Lutja nuk ishte diçka e zakonshme për mua në atë kohë, por dija si të lutesha prej vizitave të rralla në kishë dhe mësimeve fetare nga shkolla.
Në atë moment m’u kujtua një kasolle malore poshtë shpatit dhe u ktheva për ndihmë. Shumë shpejt, u përplasa me Adrianin, i cili po zbriste poshtë si unë! Ai kishte rënë për disa dhjetra metra, por kishte ngecur tek daljet e mbuluara me borë. Fatmirësisht, dëmtimi i vetëm që kishte marrë ishte një gërvishtje te kyçi i dorës. Unë isha më i trembur se ai nga ajo që kishte ndodhur!
Nuk e di me saktësi se si ndodhi, por besoj vërtetë se lutja ime, jo shumë e bukur por e ndjerë, luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së shokut tim atë ditë.