Shadraku, Meshaku, Abednego, dhe shoku i tyre, Danieli, ishin katër djem të rinj të cilët do të kishin kaluar pa u vënë re, po të mos ishte për disa gjëra të jashtëzakonshme që ndodhën në jetët e tyre.
Historia fillon rreth 500 vite para Krishtit, kur Nebukadnetsari, mbreti i Perandorisë Babilone i mori këta të rinj nga atdheu i tyre si skllevër.
Nuk e dimë sa vjeç ishin Shadraku, Meshaku, dhe Abednego, ndoshta thuajse adoleshentë, as si ishte jeta e tyre para udhëtimit të tyre drejt mërgimit. A e njihnin ata njëri-tjetrin? Ndoshta, ata ishin miq dhe ndanin ëndrrat dhe shpresat e tyre. Ndoshta, njëri prej tyre ëndërronte të kishte një duzinë me fëmijë si stërgjyshi i tij, Jakobi, dhe t’i mësojë fëmijët e tyre të jenë besimtarë. Ndoshta, ndonjë tjetër donte të bëhej mësues. Në atë periudhë, mund të ketë qenë rrëfimtari, ai që i tha të tjerëve, “Ju përmbushni ëndrrat, kurse unë do të tregoj më pas historinë.”
Por gjithë ato ëndrra dhe shpresa, çfarëdo të kenë qenë, u lanë mënjanë kur toka e tyre u pushtua dhe ata u morën rob. Si ishin ditët dhe netët e para? Nën vëzhgim, të prangosur dhe të lidhur me zinxhirë? Të rrethuar si kafshët, në kërkim të një fytyre të njohur? Dikush mund t’i imagjinojë ata duke gjetur njëri-tjetrin, të lidhur, ku ndoshta personi më optimist i grupit thoshte, “Mos kini frikë, Zoti është me ne. Pavarësisht se çfarë ndodh, ne jemi në duart e Tij.” Të tjerët binin dakord, ndoshta duke bërë pakt se çfarëdo të ndodhte, ata do t’u qëndronin besnikë Zotit.
Besnikë dhe të vërtetë qëndruan. Para së gjithash, ata refuzuan të hanin ushqim nga tryeza e mbretit. Aty duhet të kishin qenë ushqime nga më të shijshmet. Por përsëri ata nuk i prekën.
A ishte një sfidë për ta, të hiqnin dorë nga ushqimet e paimagjinueshme të tryezës së mbretit? Ndoshta, por ata e bënë për të ndjekur ligjet e dietës ushqimore që Zoti i kishte dhënë njerëzve të tyre. Ishte një vendim i vogël, por jetët tona janë të përbëra vetëm nga këto: vendimet e vogla. Ato duken kaq të vogla, kur në realitet, ato mund të caktojnë rrugën e fatit tonë.
Më vonë, kur Nebukadnetsari urdhëroi gjykatën të përulej para figurës së tij, Shadraku, Meshaku, and Abednego refuzuan ta bënin. Vetëm Zoti e di çfarë mendimesh po kalonin nëpër kokat e tyre, sa të tmerruar ishin para guximit të një mbreti të kësaj bote që urdhëronte njerëzit e tij ta adhuronin. Por përsëri përgjigjja e tyre ishte e mbushur me respekt, qetësi dhe e përmbledhur.
“O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë. Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra jote e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.” 1
Përgjigjja e Nebukadnetsarit ishte më pak e qetë dhe e përmbledhur. Ai urdhëroi shtimin e zjarrit të furrës. Doli të ishte aq e nxehtë saqë vrau njerëzit që hodhën Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon në zjarr. Por brenda pak sekondave, mbreti kuptoi se diçka nuk ishte siç e priste.
Kur mbreti Nebukadnetsar pa nga afër nëpër flakë, ai pa tre të rinj duke ecur vërdallë, dhe në mes të tyre, duke ndriçuar më shumë se zjarri i shndritshëm, ishte dikush tjetër, të cilin ai e njohu disi, ndoshta sepse pavarësisht besimeve tona fetare, kur jemi përballë me një pamje të tillë, nuk mund ta ngatërrojmë. Ai e dinte që ishte Jezusi, Biri i Zotit, dhe ai i thirri djemtë e rinj, trima dhe guximtarë të dilnin nga flakët.
Ata dolën të paprekur, madje as nga era e tymit nuk ndihej në rrobat e tyre. Dhe mbreti nxori një tjetër dekret të vrullshëm: “dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t’i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abednegos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë.” 2
Çfarë e solli të Birin e Zotit në furrën në flakë? Ata tre burra të rinj ishin shumë larg shtëpisë dhe të të dashurve, nga gjithçka ku mund të varnin shpresat. Por ata u kapën pas besimit të tyre. Mendoj se ishte ai besim që e solli Atë pranë tyre në momentin kur ata kishin më shumë nevojë.
Kjo e sjell Atë edhe sot pranë nesh. Një fjalë lutjeje, një vendim të besosh. Një fjalë apo vendim i thjeshtë, kur nuk e dimë sesi do të dalin gjërat. Një besim se, edhe nëpër flakë, Zoti mundet.
Jezusi largohet gjithmonë nga froni i hijeshisë për të mbrojtur dhe nderuar ata që kanë besim tek Ai.