Nuk e di si ndodhi, por sytë e kasieres u ngulën drejt e nga unë. Isha e zbuluar. Isha përpjekur të shmangia kontaktin me sy kur po mbaroja pazarin e ushqimeve. Më tepër e sikletshme se të shiheshe në publik në një gjendje të tillë të pazakontë do të ishte nëse dikush do të zbulonte arsyen e kotë që e kishte shkaktuar.
Po përpiqesha të mos e jepja veten – për sa kohë që nuk më duhej të flisja. Bashkëshorti u përpoq të më telefononte, por nuk mund të përgjigjesha. Do të kisha shpërthyer në lot dhe të qara nëse tentoja t’i shpjegoja diçka.
Pastaj erdhi rradha ime tek kasa. E dija nga eksperiencat e mëparshme se në këtë dyqan kasieret punonin si automat duke i kaluar artikujt në sekond. Për mua ishte shumë mirë. Isha gati për procesin e shpejtë dhe po prisja me padurim të dilja jashtë nga aty sa më parë të mundja – para se të shpërtheja.
Në atë moment edhe ajo u donte, të më pyeste: “Si po shkojnë gjërat?” Dhe nuk ishte një pyetje e tipit punë–e madhe–se–çfarë–përgjigjesh. Ajo me të vërtetë donte një përgjigje.
“Asgjë, asgjë…” u përpoqa të thoja, duke dashur të mbaroja sa më parë. Por për herë të parë – vërtetë për herë të parë në atë dyqan – kasierja e sjellshme nuk preku asnjë nga artikujt e blerë prej meje, që pritnin të skanoheshin, derisa i tregova se ç’problem kisha.
Po, kishte njerëz në rradhë duke pritur, dhe shkathtësia e saj në punë pa dyshim që po vëzhgohej. Por unë po ndihesha më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. U shokova. Deri diku, ajo më hoqi sikletin që po ndjeja, ngaqë isha gati të qaja me dënesë.
Nëse do të kisha mundur të thoja diçka të tillë si: ”Zbulova se kam kancer në gji” apo “Shoqja ime e ngushtë vdiq”, do të isha ndjerë e justifikuar për të pasur sa më shumë keqardhje të ishte e mundur. Por unë e dija se nëse ndaja atë që kishte ndodhur me të vërtetë, s’do të kishte patur të njëjtin patos. Por kisha përshtypjen se kjo grua që u shqetësua të më pyeste me sinqeritet se si po ia kaloja, do të më trajtonte me dhembshuri, pa marrë parasysh se për çfarë po qaravitesha – vetëm sepse unë isha e rëndësishme për të.
Duke parë se nuk do të shpëtoja dot, iu përgjigja shkurt, “Lashë dikë të priste gjatë në rradhë në një dyqan tjetër, dhe ajo bëri goxha debat!”
Dita ime kishte nisur në tre të mëngjesit, kur foshnja ime u zgjua. Nuk e zuri më gjumi dhe lodhja e stresi ishin bërë bashkë në kohën dhe vendin e gabuar!
Së pari, rezultoi se nuk duhej të isha tek “rradha e shpejtë”, sepse kisha llogaritur gabim numrin e artikujve në shportën time dhe përfundova me më shumë se limiti. Pastaj, kur erdhi koha për të paguar, e humba fillin dhe nuk po kujtoja numrin e PIN-it! Zonjës tjetër në rradhë nuk iu durua më dhe filloi të më sulmonte verbalisht. Ndërkohë, kasierja vazhdoi me durimin e saj duke thënë: “Zonjë, duhet thjesht të fusni numrin PIN.”
Zbulova se ka diçka më stresuese sesa të jesh vonë dhe të kesh një klient para teje që të ka zënë rradhën – kjo është kur je ti ai klient! Më në fund lëviza pak anash për t’u lutur, dhe për fat, m’u kujtua PIN-i. Pasi i kërkova ndjesë zonjës pas meje – përgjigja e së cilës ishte e ftohtë dhe e ngurtë – u largova me lot në sy.
Dallimi midis asaj që ndodhi tek arka dhe në dyqanin i dytë ishte i madh. Pasi e provova të keqkuptohesha, të mos falesha, të isha nën presion, nën stres, e trajtuar si të isha zanafilla e problemeve të gjithë botës, kjo grua më bëri të ndihem e rëndësishme dhe më kushtoi vëmendje, më bëri të ndihem më e vlefshme se koha apo paraja. Madje gruaja e mirë shkoi më mori edhe disa kartopiceta. I gjithë sikleti u mbulua më një mbulesë të ngrohtë përkujdesi.
Bota zakonisht nuk ndalet sepse kam unë një lot për të derdhur, dhe ishte ndjesi e mirë kur ndodhi. M’u kujtua sesa e rëndësishme është dashuria, dhe sesa e dhimbshme e lënduese mund të jetë kur përqëndrohemi shumë tek punët tona dhe neglizhojmë t’i bëjmë të ndihen të rëndësishëm ata që na rrethojnë.