Fiks para se të nisesha për në Indi, ku do të kaloja disa vite si vullnetare, një shoqe më dha një dhuratë shumë origjinale, dhe sipas meje, të dobishme. “Jam pak e shqetësuar për ty,” i tha ajo në mirëbesim. “Ti po shkon në një vend të vështirë dhe kjo mund të të hyjë në punë.”
Në kutinë e vogël kishte një mbishkrim: “Monedha më e vogël e arit në botë.”
E futa në valixhe dhe e mora me vete në Indi, dhe më pas, në Nepal.
Shoqja ime kishte të drejtë, gjërat nuk ishin gjithmonë të thjeshta, dhe ne shpesh përballeshim me vështirësi të të gjitha llojeve, që nga klima, te sëmundjet tropikale dhe sfidat financiare. Nuk na munguan kurrë nevojat tona bazike, por shpesh na u desh t’i tejkalonim gjërat shtesë.
Unë dhe im shoq biseduam shpesh ta shisnim monedhën, por ramë dakord ta linim si fond emergjence, dhe nuk do të prekej, veçse ishte absolutisht e nevojshme. Kurdo që hapej biseda, ne gjithmonë dilnim në përfundimin se nuk ishte vërtet një situatë e dëshpëruar dhe e kthenim prapë në valixhen time.
Pas tetë vitesh, u kthyem në Evropë, dhe një ditë kalova afër një dyqani numizmatik dhe pyeta veten ç’vlerë ka pasur monedha ime e arit gjithë këtë kohë. Disa ditë më vonë, e çova për ta vlerësuar.
Zemra dhe gjithçka brenda meje u rëndua kur shitësi i sjellshëm e vlerësoi monedhën time dhe më tha se nuk kishte ndonjë vlerë përveç peshës së arit, dhe ajo ishte “monedha më e vogël e arit në botë,” ishte e qartë se nuk peshonte shumë.
Pra, në gjithë ato vite kur ne menduam se kishim një fond emergjence, u treguam thjesht naivë? Një përzierje zhgënjimi dhe sikleti më pushtoi. Në fakt, thuajse e flaka monedhën. Kisha përshtypjen se nuk humbisja gjë.
Por më vonë, kuptova se ajo monedhë e vogël ishte simbolikë e besimit tonë. Ne e kemi mbajtur gjatë gjithë kohës me vete, nuk e humbëm kurrë. Dhe ndërkohë që besonim, Zoti nuk na la kurrë pa gjë.
E kemi ende monedhën dhe tani është një kujtim i vyer. Për mua, në fakt, është një vlerë e fituar.