Para disa vitesh jetoja dhe punoja në një qendër vullnetare në jug të Rusisë. Një javë para Krishtlindjeve, një stuhi bore dëmtoi linjën kryesore të energjisë elektrike të të gjithë zonës. Nuk e dinte askush sa do të zgjaste defekti, sepse punonjësit që do kujdeseshin për riparimin e kabllove duhet te prisnin të përmirësohej moti për të shkuar në zonën e prekur që ndodhej në mal.
Ndërkohë, të gjithë u përpoqën të mbijetonin sa më mirë të mundnin: Supermarketet e mëdha u mbyllën të gjitha, dyqanet e vogla ndriçoheshin me qirinj ose me gjeneratorë. Nga mungesa e ngrohjes, shumë shpejt shtëpitë u bënë të ftohta. Njerëzit që kishin vetëm soba elektrike ndezën zjarr jashtë për të gatuar. Kur mbaroi depozita e ujit, njerëzit mbetën edhe pa ujë. Fatmirësisht, natën ra pak borë të cilën e mblodhëm për ta shkrirë dhe për ta përdorur për pastrim e për të larë. Ato netë i kaluam nën dritën e qirinjve duke treguar histori, duke kënduar dhe duke bërë personazhet e skenës së Krishtlindjeve.
Ditët kalonin dhe nuk kishte ende ndonjë shenjë se dritat do të vinin. Më fund erdhi Vigjilja e Krishtlindjeve dhe po mendoheshim nëse duhet të vendosnim dritat e pemës apo të vazhdonim me mënyrën e vjetër të qirinjve. Një prej kolegëve tanë ishte shumë optimist: “Unë po vendos dritat në pemë dhe po i vë në prizë. Zoti ka aftësi të bëjë mrekulli dhe ta sjellë energjinë elektrike në momentin e duhur.”
E ndërsa përgatiteshim për darkën e Krishtlindjeve, akoma nuk kishim drita. Mbrëmja erdhi dhe çdo gjë ishte gati, tavolina e shtruar, ushqimi i shërbyer. Ne të gjithë ulëm kokat dhe u lutëm duke falenderuar Zotin për ushqimin dhe për ardhjen e Jezusit në tokë si një foshnje e vogël. Me mbarimin e lutjes, hapëm sytë dhe nuk mund ta besonim atë që po shihnim—të gjitha dritat në shtëpi ishin ndezur dhe pema e Krishtlindjeve shkëlqente nga magjia e dritave të saj. Koha nuk mund të ishte më perfekte! Zoti mund të mos e ketë ndezur çelësin e dritës Vetë, por jam e mendimit se Ai ka ndikuar mjaft në rikthimin e energjisë në kohën e duhur.