Nga natyra, jam një person që mendoj shumë. Çdo temë ose ngjarje më fut në mendime, qoftë reale apo e imagjinuar. Ajo që është befasuese është se deri vonë nuk e kisha vënë re mënyrën se si kjo gjë po ndikonte në ndërveprimet e mia me të tjerët, posaçërisht me burrin tim. Mendoj se të gjitha gratë përpiqen të lexojnë shprehjet e fytyrës, gjestet dhe komunikimet e tjera të trupit të një personi, por unë kam një tendencë të fiksohem në ato mendime derisa të krijojnë një jetë të tyren. Ndonjëherë konkluzionet e mia mund të jenë të sakta, por shpesh jam jashtë kornize ose nuk e kuptoj panoramën e plotë dhe si përfundim, kam humbur shumë energji mendore dhe emocionale pa ndonjë arsye të mirë.
Një mëngjes mendimet e mia kishin krijuar një stuhi. U ndjeva e mërzitur nga një mosmarrëveshje e shkurtër me burrin tim. Në fakt, i gjithë shkëmbimi vështirë se përbëhej nga disa fjalë, por mendja ime ishte duke u përpjekur të deshifronte se çfarë po mendonte ai në të vërtetë . Unë po irritohesha gjithnjë e më shumë ndërsa iu përgjigja me mend të gjithë argumenteve të tij imagjinare, duke ndërtuar çështjen time kundër tij. Po bëja një luftë mendore kundër burrit tim, kur ai as që ishte i vetëdijshëm për të. Në fund, u ndjeva tmerrësisht keq, kur ai erdhi para se të dilte, më vuri krahët në qafë, më tha që më donte dhe më kërkoi falje që dita jonë kishte nisur ters.
Nuk mund të rrija pa menduar sa herë mendimet e mia kishin ndikuar negativisht në ndërveprimin dhe komunikimet e mia me burrin tim. Zakonisht jam e kujdesshme në shprehjen verbale të zemërimit tim, por ja ku isha duke “drejtuar” lirisht një zënkë në mendjen time. I kisha lejuar mendimet e mia të plogështa të ndryshonin pikëpamjen time për njeriun që dua, madje pa i dhënë të drejtën ta dëgjoja.
Në Bibël, Jezusi paralajmëron se do të duhet të japim llogari për çdo fjalë të pabazë që flasim. Por pyes veten se sa shpesh fjalët e pabaza të pathëna mbeten në zemrën time dhe më ndryshojnë perceptimin tim për realitetin dhe veprimet e mia. A do të më kërkojë Ai të jap llogari edhe për to?
Që nga ajo ditë, jam përpjekur të mbledh veten kur filloj të vras mendjen apo të mendoj mendime jo të mira dhe t’i zëvendësoj ato me mendime pozitive. Nuk e kam arritur ende plotësisht këtë proces të ri mendimi, por po punoj me të dhe kam parë tashmë efektet pozitive në jetën time.