Gjatë fëmijërisë sime nuk kisha shumë para. Nuk më mungonte asgjë nga gjërat bazë, por nuk kisha aq shumë sa mund të jepja pa e ndjerë dallimin.
Një herë, kur isha 17 vjeç një i pastrehë më kërkoi para. Prindërit më kishin mësuar se kur jep të vijnë shumë të mira. Ndaj, llogarita sa para më duheshin për trenin deri në shtëpi, dhe pjesën e mbetur ia dhashë―rreth 500 yen ose afërsisht 7 dollarë. Ishte e vështirë të jepja paratë e fundit që kisha në xhep. Dhe nuk mund të them se dhashë 7 dollarë dhe më erdhën X dollarë si shpërblim, por e di se gjatë gjithë viteve, kam marrë shumë për të besuar në “ligjin e kthimit”.
Ligjin e kthimit Jezusi e shpjegoi kështu: “Jepni e do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.” 1
Shikoni që nuk thuhet: “Shuma që jepni do t’ju kthehet në të njëjtën vlerë.” Por thuhet se ajo do “masë” shumën që do ju kthehet. Në fakt kur jepni, shpesh ju kthehet një shumë mbi atë që dhatë, si historia e djaloshit që i dha Jezusit drekën e tij. 2 5000 njerëz të uritur ishin në nevojë―dhe pastaj erdhi djaloshi që dha 5 bukë dhe dy peshq. Në dukje nuk ngjan diçka e madhe, por mendoni se çfarë bëri Jezusi me bukët dhe peshqit!
Nipit tim dy-vjeçar i pëlqen ta ndajë ushqimin me të tjerët. Nuk ka rëndësi se çfarë po ha apo nëse është diçka që e ka shumë qejf apo jo, ai gjithmonë do që ta provoj edhe unë―edhe nëse bëhet fjalë për patatet e tij të preferuara apo akulloren. Ai jep gjithçka me lehtësi sepse beson se do të ketë prapë aty ku mori në fillim. Por ne të rriturit e dimë që gjërat shpesh mbarojnë dhe e kemi pak më të vështirë të japim.
Ndodh pikërisht në këto momente―kur mendojmë se na kanë mbaruar të hollat, mirësia, dhembshuria apo çdo gjë tjetër―që kujtojmë se Zoti do të na japë gjithmonë më shumë nga sa kishim dhe Ai nuk ka frikë se mos ndoshta gjërat mbarojnë.