Një mik i imi e pyeti menaxherin e një supermarketi nëse kishte qëlluar të thyente ndonjë çek të parregullt për ndonjë të huaj. “Jo, s’më ka ndodhur kurrë,” tha ai, “sepse s’e shikoj asnjëherë çekun, shikoj njeriun që ma jep. Nëse i besoj personit, e marr çekun e tij.” Ç’mësim besimi!

Në Hebrenjve 10:23 gjejmë këto fjalë: “Besnik është ai që premtoi.” Kush i bën premtimet në Fjalën e Zotit?—Vetë Zoti. Shikoni Krijuesin e premtimeve, dhe atëherë nuk mund të vini në dyshim për vlefshmërinë e tyre absolute. Fjala e Zotit thotë, “Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqenie.”1

Të njohësh Zotin është të jesh i sigurt se Ai mban çdo premtim që ka bërë. Abrahami e njihte Zotin dhe “as nuk dyshoi nga mosbesimi… por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.”2

Disa njerëz e mendojnë besimin si diçka shumë misterioze, të cilën s’e arrijnë dot. Të tjerë e mendojnë si një dhuratë të caktuar gjatë lindjes, disa e kanë atë në një shkallë të madhe, ndërsa të tjerët jo. Të dyja këto janë ide të gabuara.

Zoti i ka dhënë secilit një masë besimi, 3 por shumë njerëz nuk e përdorin besimin e tyre. Nëse nuk e përdorni besimin tuaj, ai bëhet i dobët, ashtu si muskujt kur nuk i përdorni ato. Që besimi të rritet, ju duhet të vazhdoni ta ushtroni atë.

Besimi operon në një mbretëri krejtësisht të ndryshme nga pesë shqisat tona, por zbatohen disa nga të njëjtat parime. Besimi na përcjell prova të vërtetave shpirtërore, ashtu si pesë shqisat tona përcjellin prova të gjërave fizike. Ashtu siç pranojmë ato që na tregojnë pesë shqisat tona, ne duhet të pranojmë si dëshmi atë që na tregon besimi ynë. Kur e bëjmë këtë, besimi ynë na bën të kalojmë vështirësitë dhe bëhet më real. “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!” 4

Merre Zotin me fjalën e Tij. Kur vijnë telashet dhe provat, në vend që t’i lini të rriten dhe rriten, hapni Biblën tuaj, gjeni një premtim dhe kërkojeni përmbushjen e tij në emrin e Jezusit. Ja një, sigurisht shumë i madh qëunë ta kuptoj, por shpesh e pretendoj: “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.” 5 Ja dhe një tjetër: “M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.”6 Nuk është çudi që Bibla i quan këto premtime jashtëzakonisht të mëdha dhe të çmuara dhe na thotë se përmes tyre mundemi “të bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore.” 7


  1. Jobi 22:21
  2. Romakëve 4:20–21
  3. Shih Romakëve 12:3
  4. Mateu 8:13
  5. Gjoni 14:13
  6. Jeremia 33:3
  7. 2 Pjetrit 1:4