Dimrin që shkoi bëra një udhëtim pesë javor për të mbledhur fonde për një projekt humanitar në të cilin jam përfshirë. Kisha një plan ambicioz—madje më shumë se ambicioz. Ditët e gjata dhe intensive për më shumë se një muaj, më shkaktuan çrregullime në jetën time shpirtërore dhe në sjelljen time time në përgjithësi.
Një ditë, teksa po bëja pushimin e drekës dhe po ecja brenda qendrës tregtare ku kisha dhe një tavolinë për të mbledhur fonde, pamjet e shumta dhe zhurmat komerciale në këtë vend me shumë njerëz po më mbysnin shpirtërisht. Unë jam një adhurues i natyrës dhe temperaturat nën zero, si dhe stuhitë e ashpra të dëborës që më mbajtën brenda edhe kur bëja pak pushim, ishin një faktor tjetër që më bënë të ndjehesha i bllokuar brenda dhe i trishtuar.
Pasi kalova njëra pas tjetrës vitrinat plot shkëlqim për më shumë se dhjetë herë, i kisha gati lotët dhe nisa të lutem në heshtje. I thashë Zotit sesi doja të ndodhesha larg nga kjo zhurmë dhe veprimtari e vazhdueshme, se sa e dëshiroja paqen dhe qetësinë e një pylli, i rrethuar nga natyra, ku do të mund të ndjeja më shumë praninë e Tij dhe të dëgjoja zërin e Tij.
Pastaj e pashë. Nuk e di sesi nuk e kisha vënë re më parë. Fiks përpara meje ndodhej një foto e madhe e një pylli të mjegullt, shumë të bukur, pothuajse magjik. Ndërsa i afrohesha, kuptova se ajo ishte pjesë e një ekspozite të përkohshme me fotografi. Hyra brenda dhe menjëherë humba në një koleksion të bukur pamjesh që tregonin madhështinë e veprës së Zotit—male, lumenj, liqene, shkretëtira, shpella, perëndime dielli, etj. Ishin fotot më të bukura të natyrës që kisha parë ndonjëherë. Ndriçimi ishte i dobët përveçse mbi fotografitë dhe kishte muzikë të lehtë instrumentale në sfond. Isha krejt i vetëm dhe kolltuqet e rehatshme në qendër të galerisë më ftuan të ulesha, relaksohesha dhe të vëzhgoja. Dukej shumë bukur për të qenë e vërtetë. Në mes të dimrit, në vendin më komercial që kisha qenë ndonjëherë, Zoti më dha atë që doja më tepër, e cila më ishte dukur e pamundur—njëzet minuta me Të në një pyll magjik, me një përrua magjepës nga njëra anë dhe kodrinat jeshile nga ana tjetër.
Zoti bën gjithçka për të na treguar dashurinë e Tij. Asnjë nevojë e jona nuk është shumë e vogël apo shumë e madhe për t’u plotësuar prej Tij. Tani kam besim të plotë për këtë gjë.