Ime më, një grua e moshuar, më mori në telefon. “Kur të vish herën tjetër a mund t’i hedhësh një sy garazhit? Vëllai yt po na ndihmon ta pastrojmë dhe ka gjetur disa sende tuajat të vjetra.”

Çfarë mund të kishte mbetur nga fëmijëria? Kur shkova aty zbulova çfarë ishte: një makinë e madhe shkrimi, në gjëndje shumë të mirë, por paksa e ndryshkur nga mospërdorimi për tre dekada. Ajo pamje më solli kujtime të bukura. Atë makinë shkrimi të përdorur ma kishin blerë prindërit e mi në moshën 11-vjeçare si shpërblim sepse kalova një provim të rëndësishëm. Mësova të shkruaja në të dhe kaloja orë të tëra gjatë adoleshencës duke krijuar poezi dhe tregime.

Para se të pajtohesha me idenë se ky miku im i vjetër duhet të hidhej, provova të shkruaj sërish. Kisha harruar se sa forcë duhej për të shtypur një buton në një makinë të vjetër shkrimi! Ndoshta ishte shiriti i vjetër, por shihja me shumë vështirësi se çfarë kisha shkruar. Ah, bëra një gabim! Me gishtin e vogël të dorës së djathtë tentova ta fshij, por u kujtova që nuk kishte buton fshirës. M’u kujtuan ditët e vështira me fshirësin e makinës së shkrimit. Ashtu me kujdes, arrita të shkruaj disa fjalë. Dëgjova një zile që më sinjalizonte të tërhiqja levën që nxirrte letrën dhe që e bënte gati për të shkruar një rresht tjetër. U sforcova shumë, por kisha bërë shumë pak punë.

Sa ndryshe është të shkruash në tabletë! E lehtë dhe mund ta marrësh kudo! E nxjerr nga çanta, shtyp butonin e ndezjes dhe hapet menjëherë. Disa prekje të lehta dhe formohen fjalët e para në ekran. Me një të shtypur të butonit fshirës ikin të gjitha gabimet. Me disa prekje të tjera, korrigjohen automatikisht gabimet e gërmëzimit të fjalëve. Me një klikim tjetër ruaj punën e bërë. Shtoj edhe disa klikime dhe ia dërgoj atë me e-mail miqve të mi nëpër botë—pa patur nevojë për letër karboni, zarfa apo pulla—dhe ata e marrin menjëherë.

Jetët tona shpirtërore janë pak a shumë të tilla. Zoti na ofron ”teknologji shpirtërore” që mund ta marrim kudo dhe mund ta përdorim në jetën tonë të përditshme—fuqinë e lutjes, një marrëdhënie personale me Të dhe dhuratat e Shpirtit  të Shenjtë si mençuri, njohuri dhe besim 1—por çdo gjë varet prej nesh. Mund t’i përdorim dhuratat e Tij për të na lehtësuar jetën ose të përpiqemi t’ia dalim pa ndihmën e Zotit. Kjo duket aq e paarsyeshme sa dhe unë sot i ulur në makinën e vjetër të shkrimit në vend që të isha para tabletit të shpejtë e praktik. Teknologjia shpirtërore e Zotit mund të na përmirësojë jetën ndaj duhet ta përdorim.


  1. 1 Korintasve 12.