Viti kishte qenë plot aktivitete, afate kohore për t’u respektuar dhe me shumë arritje. Po punoja shumë duke dhënë mësim në gjuhën angleze në një shkollë private dhe duke dhënë mësim privat në shtëpi. Njëkohësisht po finalizoja diplomën për Filologjinë Ruse dhe Çertifikatën e Aftësisë për Gjuhën Angleze. Dhe përveç këtyre, drejtoja edhe takime me Kristianë në një qendër universitare dhe një klub Anglishte me studentë të tjerë. Kisha shumë ngarkesë dhe më pëlqente shumë.
Dhe pastaj vinte tema e diplomës. Kisha punuar për të gjatë gjithë vitit, duke mbledhur materiale, duke analizuar informacione, duke u këshilluar me pedagogë, duke rishkruar disa pjesë, etj. Nga fundi i muajit Shkurt, mendova se puna më kryesore ishte pothuajse gati me përjashtim të disa detajeve që duheshin përfunduar. Sa u zhgënjeva kur pedagogu im më tha se “kryevepra” ime nuk ishte në lartësinë e duhur dhe se duhet ta ribëja nga fillimi!
Deri në atë moment e kisha menaxhuar çdo gjë shumë mirë, duke dhënë mësim paraditeve dhe pasditeve dhe duke studiuar gjatë mbrëmjeve dhe në fundjavë, madje ndonjëherë gjeja kohë edhe për miqtë. Por tani bota ime e vogël u përmbys. Kisha vetëm dy muaj për të ribërë temën para se ta dorëzoja në fillim të qershorit. Pas një muaji e gjysëm duhet të jepja dhe provimin e anglishtes. Në shkollë nxënësit e mi kishin gjithashtu në Maj provimet e fund-vitit dhe e gjitha kjo do të thoshte më tepër punë se zakonisht—të mbaroja librat, të plotësoja formularët, të plotësoja proçesverbalët e studentëve etj. U ndjeva e rraskapitur.
Nga fillimi i Majit, isha e shqetësuar, e stresuar, ndjehesha e paaftë, pothuajse e pashpresë. Dhe prandaj nuk u habita, kur u sëmura. Ndenja një javë në shtrat me bronkit, temperaturë të lartë dhe kollë. Gjatë këtij pushimi të detyruar, lexova Biblën, u luta dhe bashkëbisedova me Jezusin. Mësimi që nxorra ishte që nuk duhet të shqetësohesha apo të stresohesha për asgjë, sepse nuk ndihmon. Nuk ia vlen!
Pasi mora veten, përfundova temën dhe e mbrojta me sukses. Të gjithë nxënësit e mi i kaluan provimet dhe arrita të mbaroj dëftesat e shkollës në kohën e duhur. Fatkeqësisht, nuk arrita të kaloj provimin e Cambridge. Më erdhi keq, por nuk ishte fund i botës. Do përgatitem më mirë vitin tjetër. Shpresoj të mos kem të njëjtin stres.
Kur e mendoj, jam e lumtur që periudha kur isha sëmurë më kujtoi që gjithmonë duhet të gjej kohë të bisedoj me Shefin tim, të kërkoj mendimin e Tij të mençur, njohurinë dhe qetësinë e mendjes që Ai të jep. Kjo është “antidepresanti” dhe “kundër-stresi” që më duhen më tepër.