Kur isha fëmijë, më pëlqente shumë të vizitoja shtëpinë e vogël në mal të gjyshes sime, Sabinës. Teze Lota jetonte ngjitur, kështu që, unë dhe motrat e mia i kalonim ditët duke eksploruar me kushërinjtë tanë, duke shkuar te ujëvara, duke notuar në lumin që rridhte në pjesën e pasme të pronës, apo duke ngjitur shumë male në Kreshtën Mantigueira. Ishte parajsa në tokë për një vajzë qyteti si unë.

Familja e tyre nuk kishte aq shumë materialisht sa ne. Një herë, kushërira ime Aneta më tha, “Mund të mos jem e pasur me gjëra, por jam e pasur në zemër, dhe gjyshja më tha se kjo është gjëja më e rëndësishme!” Ky ishte një mendim i ri për mua. A kishte lloje të tjera pasurish veç atyre materiale?

Mbaj mend gjithashtu kur isha fëmijë, sa u befasova kur mami më çoi të shihja Dhjetë Urdhëresat 1 në një kinema. Moisiu mund të kishte qëndruar në rehati deri ditën kur vdiq, por nuk e bëri, ai la gjithçka për të liruar popullin e tij nga shtypja. M’u desh të rritesha për të kuptuar sa shumë i ka kushtuar atij të ndiqte Zotin.

Kur lexova për herë të parë Ungjillin, një nga historitë që më bëri përshtypje ishte ajo e argjendarit që zbuloi një perlë me vlerë të madhe dhe menjëherë shiti gjithçka që kishte për ta blerë atë. 2 Jezusi shpjegoi se ajo perlë ishte mbretëria e Zotit dhe kur e lexova, ndjeva një gulçim në zemër. E doja edhe unë atë perlë!

Jezusi dha gjithashtu mësimin: “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj, do të jetë edhe zemra juaj.” 3 Duke qenë nga një qytet bregdetar metropolitan me një shkallë të lartë kriminaliteti, e kuptoja shumë mirë konceptin.

Kur arrita pjekurinë, kuptova më qartë se pasuritë e vërteta nuk janë gjërat e kësaj toke. Janë gëzimi, paqja, dashuria, mirësia, besimi dhe vlera të tjera reale që Zoti do të na japë çdo ditë. Pjesa jonë është me e thjeshta, të hapim zemrat për të pranuar dhuratat e Tij. Nëse thesaret tona janë në parajsë, ne do të përjetojmë gëzimin e Zotit tani dhe në jetën që do të vijë.


  1. Cecil B. DeMille. Paramount Pictures, 1956.
  2. Shih Mateu 13:45–46.
  3. Mateu 6:19–21