Unë jam një perfeksioniste. Më pëlqen t’i bëj gjërat mirë dhe me themel, nuk ka rëndësi sa kohë më merr. Në vendimmarrjen time, kam arritur të vë re se motivimi im më i madh është të shmang bërjen e gabimeve. Unë përpiqem të sigurohem që puna ime dhe vendimet e mia personale janë aq të drejtë sa mund të jenë.
Oh, agonia dhe stresi i gjithë procesit! Thuajse çdo vendim duhet të jetë i përsosur , nga çfarë shampo të ble deri në cilën ndenjëse të zgjedh në autobus. Gjithçka duhet të jetë e mirë-menduar, të gjitha alternativat dhe mundësitë duhet të jenë marrë në konsideratë. Nuk e kuptoja se sa shumë tension po sillja në jetën time!
Kur fillova të njihja Jezusin dhe nisa ta përfshija Atë në jetën time, zbulova se gjërat mund të ishin shumë më të thjeshta dhe se Ai mund të më ndihmonte në vendimmarrjen time, në fund të fundit, kush i di gjërat më mirë se i Gjithëdijshmi? Kështu që fillova të kërkoja për udhëheqjen e Tij. Ndonjëherë Ai më jep udhëheqje specifike. Herë të tjera Ai nuk më tregon një rrugë të qartë veprimi, duke e lënë në dorën time të kërkoj Fjalën e Tij dhe të marr vendime sipas besimit, e bazuar në normat e Tij.
Megjithatë, pasoja më e mirë dhe më bindëse në përfshirjen e Zotit është se Ai më do aq shumë saqë edhe nëse bëj një zgjedhje të gabuar, Ai vazhdon të punojë me mua dhe me vendimet e mia. Nuk më mban mëri, kur bëj një gabim apo lejoj egoizmin ose frikën të udhëheqë zgjedhjet e mia. Ai më çon aty ku jam dhe më ndihmon të përmirësohem që të bëj zgjedhje më të mira.
Jam ende perfeksioniste deri në njëfarë pike, madje edhe pas shumë viteve që ec përkrah Jezusit, por gjetja e Tij e ka bërë jetën time shumë më të thjeshtë dhe më të lumtur. Afria e tij për t’u këshilluar dhe mbështetur më ka ndihmuar të largoj tensionin në vendimmarrjen time, sepse e di që edhe pse mund të bëj gabime, Ai mund t’i shfrytëzojë edhe ato për të mirën time. 1
* * *
Kur nuk dimë çfarë të bëjmë, kur nuk kuptojmë se çfarë po ndodh përreth nesh, le të qetësohemi, të jemi të qëndrueshëm, të bëhemi të duruar nga mendimi se çfarë na fshihet neve, nuk fshihet dot nga Ai. —Frances Ridley Havergal (1836–1879)
Jezusi mund të të këshillojë edhe ty. Në fakt, Atij do t’i pëlqente shumë të përfshihej në jetën tënde. Vetëm, kërkoji Atë:
I dashur Jezus, unë dua të të përfshij Ty në vendimet e mia të përditshme. Të lutem, eja në jetën time dhe më jep udhëheqjen dhe mprehtësinë Tënde që të më ndihmosh të bëj zgjedhjet që Ti e di se do të funksionojnë më së miri.
- Shih Romanëve 8:28. ↑