Kur shefi im ra dakord të më lejonte të punoja nga shtëpia, u gëzova dhe u ndjeva e sigurt se mund të bëja një punë më të mirë sesa duke punuar në zyrë, por ai u përgjigj me një buzëqeshje të njohur, “Vetëm mos harro, unë mund të të telefonoj ndonjëherë thjesht për të parë nëse je në tavolinën e punës. Mos më bëj të të gjej në kuzhinë!” —Shefi im e njihte pasionin tim për ushqim të mirë dhe gatim! —“Vetëm ji në tryezën e punës tënde në orën 9.00 çdo mëngjes, dhe çdo gjë do shkojë mbarë.”
Kjo këshillë ishte baza e një prej këshillave më të mira të menaxhimit të kohës që unë kam gjetur: Vendos kufijtë e tu dhe eduko veten për t’u qëndruar besnik atyre.
Megjithatë, të isha në tryezën time të punës në orarin e duhur ishte thjesht fillimi. Pastaj e gjeja veten para dhjetra mesazheve, të gjitha kërkesa për t’u transmetuar dhe gjëra që duhet të bëheshin. E kisha të vështirë të vendosja prioritete. Dukej sikur çdo gjë kërkonte të bëhej e para!
Përsëri, shefi më erdhi në ndihmë. Më sugjeroi të shkruaja çdo gjë që kisha për të bërë dhe t’ia dërgoja listën atij. Atëherë ai do ta shqyrtonte, të vendoste prioritete për mua, dhe të ma dërgonte sërish. Ishte e dobishme të isha në gjëndje të mësoja nga përvoja e tij, sidomos në fillim. Pas pak kohe, isha në gjëndje të vendosja prioritetet e mia, por kurrë nuk kam ndaluar së mbajturi një listë të detyrave që kam për të bërë.
Një herë, pasi kalova një paradite me një projekt jo shumë prioritar dhe pasi dështova për të përmbushur afatin kohor për diçka që ishte urgjente, mora një tjetër mësim të vlefshëm: “Bëj gjërat e rëndësishme të parat.” Kisha menduar se e kisha llogaritur mire kohën që më duhej dhe në këtë mënyrë dështova në përmbushjen e afatit. Shefi im kishte disa këshilla akoma më të mira: “Në mbyllje të çdo dite pune, kushtoji një minutë listës së gjërave që ke për të bërë. Pastaj mba shënim dy ose tre gjërat më me përparësi me të cilat duhet të fillosh punën ditën e nesërme.”
Vura re se në fund të ditës, kam në fakt një aftësi shumë të mirë të veçoj atë që ka mbetur për t’u bërë, kështu që funksionon shumë mirë ta nis listën e gjërave që kam për të bërë gjatë ditës, një pasdite më parë.
Punova nga shtëpia si asistente personale për shumë vite, dhe besoj se këto këshilla dhe sugjerime që mora kur fillova janë ato që më kanë ndihmuar të krijoj një reputacion për të qenë korrekte në orar dhe e besueshme.