Ishte Krishtlindja ime e parë në Taipei, Tajvan, kur dëgjova këngën klasike të Krishtlindjes “Silent Night [Natë e Heshtur]” të këndohej në kinezisht për herë të parë. Më la një përshtypje të veçantë dhe më kujtohet që mendova se duhej të mësoja fjalët. Rreshti i parë ishte goxha e thjeshtë, në fund të fundit, gjysma e saj ishte titulli i këngës, por më tej, u bë më e vështirë.
Edhe pse arrija të kuptoja vetëm fjalët më bazike në kinezishten Mandarin, unë dhe dy shoqet e mia ndjemë se nuk mund të lejonim mangësitë tona në fjalor të na pengonin të ndanim shpirtin e Krishtlindjes. Para se ta kuptoja, ne u përfshimë në një program të ngarkuar, plot me shfaqje bamirësie për Krishtlindje. Dhjetë ditët që na ndanin nga Krishtlindja ishin të mbushura me interpretime recitimesh, këngësh dhe vallëzimesh.
Krishtlindja ime e dytë në Taipei, zërat tanë u tërhoqën nga muret plot shkëlqim të disa prej qendrave më moderne të qytetit dhe u rreshtuan në korridoret e zhurmshme të një qendre riedukimi për djemtë që kishin kryer shkelje. Vlerësimi që morëm nga djemtë ishte prekës, falënderimi ishte gdhendur në çdo fytyrë që ndamë me ta kuptimin e vërtetë të Krishtlindjeve. Pacientët në spitalet ku interpretuam atë vit, gjithashtu na falënderuan që u kujtuam edhe për ta. Ne u veshëm si klounë dhe sollëm buzëqeshje në fytyrat e jetimëve që vizituam.
Teksa ndihmoja t’i shpërndaja lodrat e dhuruara fëmijëve në nevojë, kuptova që Zoti ka gjithmonë dhuratën e përsosur të Krishtlindjes për të gjithë, pikërisht atë që Ai e di që gjithsecili ka nevojë më së shumti në atë moment. Kujtova shtëpitë për të moshuarit, ku përqafimet e fëmijëve zbusin zemrat që vuajnë për familjet e munguara. Në një strehë për të varfrit, një mal me dhurata të ndryshme, përfshirë edhe sendet e foshnjave erdhën si përgjigje për lutjet e sinqerta të nënave së reja.
Më pas erdhi Krishtlindja ime e tretë në Taipei. Deri më atëherë, më në fund kisha mësuar këngën “Silent Night” [Natë e heshtur] në kinezisht, por meqenëse po shoqëroja grupin tonë të vogël të këngës në kitarë, isha jashtë vëmendjes gjatë shfaqjeve tona. Ne shkuam nga qendrat për personat me aftësi të kufizuara në spitale dhe u kthyem përsëri. Çdo herë që luaja “Silent Night” [Natë e heshtur], më kujtohej zëri i vogël që më thoshte të mësoja fjalët në kinezisht. Pyesja veten pse i isha futur gjithë këtyre telasheve.
Disa ditë para Krishtlindjes, po qëndroja në hollin e Spitalit Yang Ming, duke i rënë pa mendje kitarës sime. Shfaqja jonë kishte mbaruar, dhe disa prej të tjerëve kishin shkuar nëpër pavijone për të gëzuar pacientët, të cilët nuk kishin qenë në gjendje të vinin të shihnin interpretimin tonë. Dikush duhej të qëndronte me pajisjet tona, dhe këtë herë ndodhi të isha unë.
Pastaj, pashë atë, një zotëri i moshuar, ndoshta afër të 80-ave. Ai më buzëqeshi, dhe unë ia ktheva buzëqeshjen. Ma bëri me gjest të ulesha pranë tij, dhe unë e rehatova veten në stol, duke e lënë kitarën time të rrëshqasë poshtë në tokë pas meje.
“Faleminderit … që erdhët këtu,” tha ai me ngadalë. M’u desh një moment që ta kuptoja se po fliste në anglisht. E pyeta nëse ai e kishte shijuar shfaqjen, dhe shumë shpejt kaluam të flisnim në Mandarin kur kuptova se ai kishte sosur fjalorin e tij anglisht.
Ai tha se i vinte keq që nuk e kishte parë shfaqjen tonë, tha ai, por kishte dëgjuar për punën tonë të vazhdueshme në spital dhe mendonte se ishte e mrekullueshme që ne do të vinim në vendin e tij për ta bërë gjithë këtë. Ai bëri një gjest të gjerë dhe gjithëpërfshirës me duart e tij për të theksuar shprehjen “gjithë këtë “.
Duke u përpjekur ta mbaja bisedën gjallë, i thashë se kisha ardhur një vit më parë në spital.
“Dhe mund të vish edhe vitin tjetër,” u përgjigj i moshuari në Mandarin, me një vezullim në sytë e tij, “por unë nuk do të jem këtu.”
U ndjeva e pamend, kur kuptova se ai nuk e kishte fjalën për qëndrimin në spital. Ai nuk priste që të jetonte për të parë Krishtlindjen e ardhshme.
“Nëse doni,” thashë duke m’u marrë goja, “mund t’ju këndoj tani një këngë. Unë jam vetëm një person dhe nuk di shumë këngë, por…”
Një vështrim kënaqësie kaploi fytyrën e tij të rrudhur, dhe ai psherëtiu. “Kam një këngë që dua ta dëgjoj,” tha ai.
U struka para mendimit se më duhet të plotësoja një kërkesë specifike. S’do të më pëlqente ta zhgënjeja atë. Dhe pastaj pashë, copën e letrës që ai po mbante në duart. Ishte ky trakti i ungjillit të cilën ia dhashë kur u ula në fillim. Në pjesën e përparme ishte një ilustrim i një dhuratë të mbështjellë me fjongo dhe fjalët “Christmas Gifts for You” [Dhuratat Krishtlindjeje për Ty].
Dhe më pas, e kuptova. Mes gjithë atyre lodrave dhe dhuratave të tjera, të qeshurave, lotëve dhe inkurajimin që ndanim me të tjerët gjatë rrugës, Zoti po u sillte çdo zemre dhuratën që ata kishin më shumë nevojë. Unë duhej vetëm të isha e gatshme të isha duart dhe këmbët e Tij, sytë, veshët, goja e Tij. Papritmas e dija se do të shkonte mirë. Buzëqesha me guxim, madje para se ai ta mbaronte kërkesën.
“Të lutem,” tha ai, “këndo ‘Silent Night.’”