Sezoni i Krishtlindjeve—pa dyshim periudha ime e preferuar e vitit—është e mbushur me shumë kujtime të paharrueshme. Ishte dhjetor dhe binte borë; unë isha gjashtë vjeç dhe familja ime u kthye në shtëpi në Amerikë nga Filipinet, ku kishim qenë misionarë në vitet e mëparshme. Kjo ishte hera e parë që takova gjyshërit dhe hera e parë që përjetova nga afër borën. Kur isha 15 vjeç, e kalova sezonin e Krishtlindjeve duke i rënë baterisë me një grup muzikor që kishte ardhur në Meksikë nga Uashingtoni për të dhënë koncerte bamirësie. U kënaqa pa masë!
Por dy sezonet e paharrueshme të Krishtlindjeve për mua ishin ato të vitit 2002 dhe 2003, dhe kanë të bëjnë me një këngë të thjeshtë dhe ndikimin që ajo ka në jetën time.
Krishtlindjet e vitit 2002 ishin shumë të veçanta. Nëna ime u shërua nga kanceri disa muaj më parë dhe ndihej shumë më e fortë. Një ditë gjatë muajit Dhjetor, ajo po piqte diçka për të ftuarit e ditës së nesërme. Më kujtohet aroma që mbushi apartamentin tonë në Kaliforninë e Jugut. Radioja ishte në një stacion që transmetonte këngë të zgjedhura për festa 24 orë në ditë. Repertori përbëhej nga këngë të lehta Krishtlindjesh si “Jingle Bell Rock”, “Santa Claus Is Coming to Town,” etj. Por papritur, tonaliteti ndryshoi kur filloi një këngë që më tërhoqi vëmendjen. Ndërpreva punën që po bëja për t’a dëgjuar. (Më vonë mësova se titullohej “Këpucët e Krishtlindjeve,” nga Newsong.)
Kënga flet për një burrë që u ndodh në një dyqan të shtrenjtë mbrëmjen e Krishtlindjeve duke bërë pazaret e fundit të festave. Para tij ndodhej një djalë i vogël, i cili me pamjen e tij fliste qartë se nuk kishte kurrë farë lidhje me atë dyqan atë natë. Në dorë mbante një palë këpucë. Kur i erdhi radha për të paguar, tha se donte të blinte këpucë për nënën e tij të sëmurë, së cilës nuk i kishte mbetur edhe shumë kohë për të jetuar. Ai donte që ajo të ishte veshur bukur, nëse atë natë do të takonte Jezusin. Djali vendosi të gjitha të hollat që kishte në xhep mbi banak, por arkëtarja tundi kokën në shenjë mohimi për t’i thënë se nuk mjaftonin. Ai u kthye dhe vështroi burrin pas tij me sy lutës . Burri që kishte më pas radhën pagoi difference. Ai nuk mund ta harronte shprehjen e fytyrës së djaloshit që e falenderoi dhe u largua.
Ndërsa e dëgjoja, lotët më rridhnin në faqe. Kuptova sesa me fat isha që e kisha ende pranë nënën time. Mendova sesa i trishtuar do të isha ndjerë po të isha në vendin e atij djalit të vogël që po humbiste nënën e tij. Kënga nuk m’u largua nga mendja gjatë gjithë sezonit të Krishtlindjeve deri me ardhjen e vitit të ri.
Gjatë vitit 2003, nënës iu rishfaq sërish kanceri dhe ajo filloi të përkeqësohej. Për Krishtlindje ndodhej në spital, dhe stafi na e kishte bërë të ditur se e vetmja gjë që mund të bënin ishte t’i qëndronim pranë deri në fund. Një ditë, ndërsa po mbaronim disa punë me vëllanë tim, po dëgjonim muzikë nga radio e makinës. Papritur filloi kënga “Këpucët e Krishtlindjeve.” Sa e gjetur ishte në ato momente!
Të prekur nga kënga, i blemë nënës një palë këpucë të bukura që i rrinin mjaft bukur dhe që e gëzuan pa masë. Ajo na la (të paktën fizikisht) vetëm disa javë më pas.
Sot, kjo këngë e bukur më bën të shoh përtej anës tjetër të ethshme të Krishtlindjeve. Përtej aktiviteteve të saj, planeve dhe përgatitjeve për festimet me familjarët e gjithçka tjetër. Ndonjëherë, kur ky sezon i ethshëm më streson dhe ndihem i nervozuar, dëgjoj zërin e nënës sime që më pëshpërit ëmbël, Kujto këngën “Këpucët e Krishtlindjeve”.
Dhe sapo sjell ndër mend fjalët e saj, stresi zhduket dhe nis të numëroj të mirat e shumta që kam. Mendoj për familjen dhe të dashurit e mi që janë ende gjallë dhe jam mirënjohës edhe për shëndetin dhe jetën time. Lutem për këdo që po kalon momente të vështira gjatë sezonit të Krishtlindjeve—siç ishte djaloshi i vogël i këngës apo edhe unë e familja ime në vitin 2003. I kërkoj Jezusit të më ndihmojë të takoj njerëz të tillë dhe të më japë mundësinë t’i ndihmoj ata. Dhe Ai shpesh ma jep këtë mundësi.
Kur mendoj se jam ende gjallë dhe se po festoj një tjetër Krishtlindje, më largohet i gjithë ankthi që kam për koncertet që më presin, për gjërat që nuk janë gati ose janë anashkaluar, si dhe për shqetësime të tjera.