Unë kam lindur në qytetin e Romeos dhe Xhulietës. Çdo ditë, rrugës për në shtëpi, ecja afër ballkonit të famshëm në të cilën Shekspiri tregon Xhulietën duke thirrur të dashurin e saj, dhe në të cilin ai u ngjit një herë duke u mbajtur në një nga gërshetat e saj të gjatë. Kohët e fundit, jam kthyer në Veronë, në veri të Italisë, dhe kalova përsëri atje, por turma e madhe e turistëve e bënte pothuajse të pamundur t’i afrohesha ballkonit të famshëm. Vura re se muret përreth ishin të mbuluara me nënshkrime dhe dukej se bashkia e qytetit ishte detyruar t’i rilyente në mënyrë periodike ato, në mënyrë që të bënte të mundur që turistë të tjerë të mahnitur të shkruanin emrat e tyre në to. Rruga është mbushur me dyqane që shesin suvenire me simbolikë dashurie.
Nuk e di se çfarë do të mendonte Shekspiri për mënyrën sesi historia e tij është ri-imagjinuar dhe përshtatur pafundësisht. Një gjë është e sigurt, nuk ka më të famshme se ajo, pasi kur më pyesin se nga jam, përgjigjja ime zakonisht pasohet nga buzëqeshje dhe psherëtima dëshirëplota: Romeo dhe Xhulieta.
Kur isha adolishente, edhe unë ndihesha shumë e joshur nga historia tragjike e Romeos dhe Xhulietës, dhe për shumë vite, dëshiroja në fshehtësi që të vinte Romeoja im dhe të përmbushte gjithë dëshirat e zemrës sime, por jeta… dhe 38 vite me ulje dhe ngritje në jetën martesore, më dhanë shumë mësime përgjatë rrugëtimit.
Kohët e fundit kam gjetur një citim të shkëlqyer: “Ka një ndryshim të madh mes të rënit në dashuri me dikë dhe të duash dikë. Të biesh në dashuri thjesht ndodh. Por që ta duash me të vërtetë dikë duhet të derdhësh djersë, të vuash, të qeshësh, të rrish pa gjumë, të japësh nga vetja. Dashuria e vërtetë nuk thjesht ndodh. Dashuria e vërtetë është diçka që ti bën të ndodhë.” 1
Edhe pse i kam shumë përzemër historitë e mrekullueshme romantike, kam mësuar se dashuria e vërtetë është diçka krejt e ndryshme. I bën ballë sprovave të kohës, është të japësh dhe jo të marrësh, dhe para së gjithash, është një zotim. T’i kthehemi Shekspirit: “Rruga e dashurisë së vërtetë nuk është një fushë me lule.” 2 Një sfidë e vërtetë atëherë.
- F. Roversi ↑
- Ëndrra e një Nate Vere A Midsummer Night’s Dream ↑