Në moshën time, zakonisht njerëzit fillojnë të mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre. Përveç fëmijëve, karrierës, dhe sistemimit të jetesës, temave të planifikimit të pensionit dhe investimeve të kapitalit tentojnë të diskutohen. Ka shumë mundësi të ndryshme për të zgjedhur nga investimet financiare dhe s’është e thjeshtë për t’u vendosur, duke qenë se në fund të ditës, askush nuk ta thotë dot se zgjedhja jote është padyshim e duhura. Disa nga mundësitë e investimeve që kam parë janë sigurimi i jetës, pasuri të patundshme dhe fonde investimi, edhe pse ka akoma shumë të tjera.
Jo shumë kohë më parë, takova një shoqe, e cila është misionare, që ka udhëtuar përmes Afrikës, Evropës dhe dy Amerikave për t’u folur njerëzve për Jezusin. I admiroj përpjekjet e saj dhe dashurinë që ajo ka për njerëzit që takon, dhe për këtë arsye, vendosa ta mbështesja punën e saj misionare financiarisht. Herën e fundit që u takuam, ajo më falënderoi për sakrificën që unë bëra për t’i dhënë asaj ato para. Kjo më vuri në mendime, pasi unë nuk e shikoja aspak si sakrificë, përkundrazi, e shihja si një investim për të ardhmen time. Është kapitali im më frytdhënës i investimit.
Sigurimi i jetës. Bibla premton se Zoti do të kujdeset për ne, nëse jemi bujarë. 1 Gjithashtu thotë se nëse u japim të tjerëve, Ai do të na bekojë neve dhe punën tonë. 2 Të mbështesësh punën e Zotit është të paguash programin e sigurimit të jetës që ka Zoti, dhe në këmbim, Ai kujdeset për mua dhe për të dashurit e mi, si në kohë të mira, dhe në ato të këqija. Zoti është rrjeta ime e sigurisë.
Llogaria e kursimeve të shtëpisë. Jezusi na tha se Ai do të përgatisë një vend për ne. 3 Kur i investoj paratë e mia në punën e Tij, po investoj për një vend banimi në të ardhmen e bukur, në qytetin e Tij qiellor. Jam e sigurt që ai është një arkitekt i mrekullueshëm.
Portofolio aksionesh. Jezusi tha se ne kemi thesare në parajsë. 4 Duke mbështetur punën misionare të shoqes sime, po ble aksione qiellore dhe po i vendos ato në portofolion tim qiellor. Sa më shumë kohë dhe përpjekje të investojë shoqja ime në ndërmarrjen e saj qiellore, aq më shumë vlerë do të kenë aksionet e mia. Kur të qëndroj përballë Krijuesit tim në fund të jetës, portofolioja ime e aksioneve do të shpërbëhet dhe vlera do të më rikthehet. Jam e sigurt që do t’ia vlejë pritja.