Shija ime e preferuar është e athta, karamelet e athta, turshitë, çdo gjë me limon, qershitë e athta, çfarëdo qoftë, e adhuroj! Disa njerëz mund të preferojnë pikanten ose të ëmblën, ose shijen më të re, umami, por një shije themelore që nuk kam dëgjuar të jetë e preferuara e ndokujt është e hidhura. Nuk habitem! Në fakt, fjala që kam parë më shumë e përdorur në përkufizimet e fjalës së hidhur është “e pakëndshme”.

Duket se ka kuptim që fjala “e hidhur” të përdoret gjithashtu për të përshkruar aktin e mbajtjes së mërisë dhe zemërimit. Një herë lexova një artikull që thoshte se ekzistojnë tre lloje hidhërimesh.

E para është kundër Zotit. Ky lloj hidhërimi mund të vijë nga situata kur nuk e kuptoni pse ndodhi diçka e keqe: humbja e një personi të dashur, një fatkeqësi natyrore ose çdo gjë që ju mendoni se është e padrejtë. Është zemërimi ndaj Zotit që nuk e ka ndaluar atë dhe kujton se Ai nuk të ka dëgjuar kur të lutesh, ose ndoshta që Atij nuk i intereson.

Lloji i dytë është ndaj të tjerëve. Ndoshta dikush ju ka trajtuar keq, ka bërë diçka të padrejtë ose ka folur keq për ju pas krahëve. Ju mendoni se nuk mund t’i falni kurrë ata dhe se edhe sikur të mundeni, ata nuk e meritojnë, dhe sigurisht nuk do të ishte e drejtë.

E fundit, të cilën ne nuk e kuptojmë gjithmonë është një formë hidhërimi, është hidhërim ndaj vetvetes! Ju mund ta dini në zemrën tuaj se Zoti ju ka falur për ndonjë gabim që keni bërë, por nuk mund ta falni veten dhe ju nuk shkëputeni dot nga ato ndjenja negative.

Unë mendoj se të gjithë preken nga hidhërimi ndaj të tjerëve në një moment të jetës. Të gjithë lëndohen, dhe është e vështirë të përballesh me njerëz dhe situata të vështira. Sekreti qëndron në mënyrën si përballeni me atë dhimbje.

Hebrenjve 12:15 thotë, “Duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë.” Hidhërimi mund t’ju bëjë të humbisni hirin që Zoti dëshiron t’ju japë. Dhe si tek shembulli i rrënjës, në fillim është e vështirë të vihet re hidhërimi, por ata filizë “barërash të këqija”, do të kenë simptoma. Dhe nëse e lini të vazhdojë të rritet pa e asgjësuar atë, ajo mund të marrë jetën tuaj nën kontroll.

Në Mateu 18, Pjetri e pyeti Jezusin sa herë kishte pasur nevojë ta falte dikë, dhe në qoftë se ndoshta shtatë herë ishin të mjaftueshme. Ndoshta Pjetrit i ishin bërë gjashtë padrejtësi dhe e kuptoi se mjaftonte me kaq. Jezusi u përgjigj se ishte shtatëdhjetë herë shtatë, dhe Ai e shpjegoi këtë me alegorinë e Shërbëtorit të Pafalshëm.

Në alegori, një mbret dëshiron të shlyejë llogaritë e tij, kështu që ai i bën shërbëtorët e tij të paguajnë paratë që i kanë borxh. Rezulton se një shërbëtor i kishte borxh dhjetë mijë talenta, rrogat e rreth 200 000 viteve! Ai nuk ishte në gjendje të paguante, kështu që mbreti vendosi që, në përputhje me disa praktika juridike bashkëkohore romake, gjithçka që kishte do të shitej për të paguar borxhin, përfshirë këtu gruan dhe fëmijët e tij.

Por kur shërbëtori ra në gjunjë, duke qarë, “Ju lutem, kini durim, do t’ju paguaj gjithçka!” mbreti e mëshiroi, e fshiu borxhin dhe e lëshoi. Nuk e di se çfarë do të bënit sikur sapo t’ju kishin falur një borxh të paimagjinueshëm dhe t’ju kthenin familjen dhe jetën, por kishte vërtet diçka që s’shkonte me këtë shërbëtor, sepse pasi u largua nga mbreti, ai gjeti dikë që i kishte borxh njëqind denarë, një borxh që ishte 600 000 herë më i vogël se ai që sapo i kishte falur mbreti dhe e sulmoi atë dhe i vuri duart në fyt, duke kërkuar që t’i paguante menjëherë paratë.

Kur borxhliu ra në gjunjë dhe iu lut, “Të lutem, ki durim, do të të paguaj gjithçka,” shërbëtori e futi atë në burg.

Kur mbreti dëgjoi për këtë, e thirri shërbëtorin përsëri dhe e qortoi, duke i thënë se ai duhet të kishte pasur të njëjtën mëshirë për të tjerët po aq sa mëshirë kishin treguar kundrejt tij. Kështu që, ai e futi shërbëtorin në burg, derisa të mund të shlyente borxhin e tij. Jezusi përfundoi me një deklaratë mjaft të rëndë: “Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”1

Flasim për motivimin! Sigurisht, nuk është gjithmonë e lehtë, siç thotë Bibla, “Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.” 2 Por Zoti e di këtë, dhe Ai premton se Ai do të na ndihmojë të falim, nëse ia kërkojmë Atij. 3

Një herë pashë një ilustrim qesharak të dy të moshuarve. Njëra ishte një grua me zemër të madhe, gjithnjë duke ndihmuar të tjerët, dhe që falte lehtë. Ajo dukej e ndritshme, e gëzueshme dhe e fortë për moshën e saj. Tjetri ishte një njeri që shihte gjithmonë më të keqen tek njerëzit, rrinte duke shfryrë gjatë gjithë kohës dhe nuk mund të falte. Ai dukej i lig dhe i mplakur. Citimi shkruante, “Disa njerëz janë të freskët; të tjerët janë turshi.”

Cili je ti?


  1. Mateu 18:35
  2. Efesianëve 4:31–32
  3. Shih Filipianëve 4:13.