“Ka ndonjë motivim fetar, puna humanitare që bëni? Nëse është fetare, unë jam ateist.” Endacaku plak që po më tërhiqte krahun ngjante më shumë me një bishë sesa me një njeri. Trupi i tij i rrëgjuar mbante shenjat e alkoolizmit ekstrem, por sytë e tij ishin vigjilentë dhe luteshin bashkë me të miat.
“Dikur kam qenë edhe unë ateist,” i thashë.
Tregu i madh publik në Buenos Ajres, ku kjo ngjarje u zhvillua është shtëpia e shumë punëtorëve të ngarkim-shkarkimit dhe personave të tjerë që nuk kishin vend tjetër ku të jetonin. Gjatë ditës, qindra njerëz të rrugës kontrollojnë përmes mbeturinave dhe konkurrojnë për mbetjet e stallave të prodhimit. Është një vend goxha i ashpër. Gjatë viteve që shkoj aty për furnizimet e nevojshme për punën tonë vullnetare, kam arritur të njoh goxha shitës dhe shumë klientë të rregullt. Ky person kishte dëshirë të fliste. Tha se emri i tij ishte Ventuz.
Çuditërisht, doli të ishte një njeri i artikuluar dhe i edukuar, për një pijanec rrugësh. Pasi qëndruam në treg, për një gjysmë ore tjetër, burri më tregoi historinë e jetës së tij, të 64 vitet e plota, duke përfshirë historinë si babai i tij shef policie u vra nga krimi i organizuar para syve të tij, dhe si më pas, kishte “shkalluar” dhe ishte bërë që atëherë, një njeri i dhunshëm, vështirë të kontrollohej. Kur mbaroi tregimin e historisë, lotët po i rridhnin çurg në fytyrë.
Ç’mund të the? U luta në heshtje, duke kërkuar fjalët e duhura. “Do që të çlirohesh?” e pyeta.
“Nga çfarë të çlirohem?”
“Nga frika dhe hidhërimi yt.”
“Askush nuk mund të t’i largojë këto!” protestoi Ventuzi.
“Unë njoh Dikë që mundet,” i thashë, “dhe unë kam një dhuratë për ty.”
Ai e kapi menjëherë që po flisja për Jezusin. “A e di sa e vështirë është për një ateist ta pranojë atë dhuratë?” psherëtiu ai.
“E mban mend? Të thashë që edhe unë kam qenë ateist. Prandaj, e di që kjo do të funksionojë me ty.”
Ventuzi s’kishte përgjigje për këtë.
“Do ta pranosh Jezusin?” e pyeta troç.
Një moment të gjatë, ai qëndroi pa lëvizur, duke më parë ngulazi. Më pas, papritur ai nxori frymën dhe hapi krahët, duke treguar se e pranonte dhuratën që unë po i ofroja. “Po, e pranoj,” tha ai.
Kështu që, unë u luta me Ventuzin që ta pranonte Jezusin si Shpëtimtarin e tij, dhe iu luta Jezusit që ta çlironte atë nga frika dhe hidhërimit që e kishin çuar atë të bëhej i alkoolizuar.
Kur i hapa sytë, ai dukej si një njeri tjetër!
Para se të ndaheshim, ai tha, “Faleminderit që ma solle këtë paqe të brendshme, dhe meqë ra fjala, unë quhem Xhorxh.”
Dy javë më vonë, në treg, nuk arrita as ta njihja Xhorxhin! Ai ishte larë, rruar dhe ujdisur. Edhe ai mezi po priste të lutej me mua dhe u lumturua që mori Conéctat-n (botimin spanjisht të Activated) e atij muaji.
Javën pasuese, ai na tha se kishte lexuar vepra letrare pa fund. Ai gjithashtu ishte ulur dhe kishte folur për orë të tëra me Jezusin, dhe e kishte mbyllur bisedën duke i thënë Atij se kishte nevojë të gjente punë. Pasi për shkak të sjelljes së tij të dhunshme dhe kundërshtuese, Xhorxhin e kishin pushuar vazhdimisht nga puna.
“Thuajse një minutë më vonë, një djalosh eci drejt meje dhe tha se babai i tij po më ofronte punë te stalla e tij, i njëjti njeri që një muaj më parë u betua se nuk do të punoja më kurrë për të!” Xhorxhi nuk mund ta besonte se sa shpejt kishin gjetur përgjigje lutjet e tij!
Në atë vizitë, ai na kërkoi të luteshim që Zoti ta ndihmonte atë ta linte përfundimisht pijen.
“Gjëja më e çuditshme ndodhi para disa ditësh,” tha ai. “Unë po pija me shokët e mia, kur ndjeva Jezusin teksa më preku lehtë në shpatull dhe më tha ta ulja gotën e verës, dhe ashtu bëra! Thjesht u çova në këmbë dhe u largova. Nuk do ta kisha bërë kurrë këtë gjë, më parë! Më pas, rreth 20 minuta më vonë, burrat me të cilët po pija, nisën një sherr të madh dhe erdhi një polic t’i ndante. Ai polic gjithmonë e dinte se mund të më gjente në mes të një sherri të potershëm, por kur më pa të ulur aty pranë, jo në përleshje, ai pyeti, ‘A nuk e ke këtu vendin?’ Kur i thashë “jo”, ai më pa ngulazi dhe pyeti, “Ç’të ka ndodhur?” Jezusi po më ndryshon. Unë mund ta ndiej, dhe të tjerët mund ta shohin. Tani, dua të lutem që të mund ta lë përfundimisht pijen.”
Kur Xhorxhi tha se s’besonte se mund t’i rezistonte një dimri tjetër të ftohtë dhe të lagësht në rrugë, ne u lutëm që ai të gjente një vend për të qëndruar, me një qira të përballueshme. Herën tjetër që pashë Xhorxhin, ai më tha se një kompani e madhe agrumesh i kishte ofruar atij një punë si mbikëqyrës, bashkë me strehim.
Kishte ende lajme të mira, ai tha se ndjente që ai mund të përballej përsëri me gruan e tij dhe me vajzat binjake, tashmë të rritura. “Me gjithë mrekullitë që ka bërë Jezusi për mua, jam i sigurt se Ai mund të më ndihmojë t’i kërkoj ndjesë. Tani, pavarësisht ç’problem kam, ndiej se Jezusi po më thotë, ‘Besomë!’”