Nja dy vite më parë, fillova vrapin si aktivitet fizik, dhe u përpoqa ta ushtroja rregullisht. Me shpejtësi arrita të vrapoja me distanca të gjata dhe më gjatë se kur e fillova, por pasi arrita njëfarë niveli nuk pësova ndryshime për një vit, në mos më shumë. Më dukej e vështirë të rrisja rezistencën përtej një pike të caktuar dhe më dukej veçanërisht e vështirë të rrisja shpejtësinë.
Më vonë, dola të vrapoja me një mik, i cili kishte vite që vraponte dhe ishte në formë shumë të mirë, dhe i kërkova atij të kritikonte mënyrën time të të vrapuarit.
“Nëse hedh hapa më të shkurtra se tani dhe i lejon këmbët të lëvizin më shpejt,” më këshilloi ai, “do të kesh më shumë rezistencë dhe shpejtësia e vrapimit do të përmirësohet.”
Nuk më kishte shkuar kurrë më parë ndërmend. Nuk isha përpjekur të lëvizja në ndonjë mënyrë të veçantë, por thjesht e lija trupin të lirë. Kur fillova t’i kushtoja vëmendje dhe të përqendrohesha në hedhjen e hapave më të vegjël, zbulova se nuk kisha pse të përpiqesha të lëvizja më shpejt; kjo thjesht ndodhi. Ndryshimi nuk ishte rrënjësor, por i mjaftueshëm për të më treguar se po bëja progres.
Tani, vrapimi im është përmirësuar dukshëm. Frymëmarrja është më pak e mundimshme, niveli im i energjisë është i lartë, dhe shpejtësia ime po rritet. Këtë mëngjes, bëra të njëjtën distancë në rrugën ku bëra zbulimin tim, dhe e bëra rrugën në shumë më pak kohë, madje pa u përpjekur në mënyrë të ndërgjegjshme. Më e mira e të gjithave, nuk ndihesha sikur po lodhesha, po mundohesha apo kisha mbetur pa frymë. Ndihesha e lirë nga tensionet dhe e shijova atë nga fillimi në fund. Në fakt, ndjeva se mund të vazhdoja lehtësisht të vrapoja.
Kur po lutesha mëngjesin pas zbulimit tim, më lindi ideja se mund ta provoja të njëjtin parim në fusha të tjera të jetës sime, veçanërisht në punë. Më pëlqen ta konsideroj veten një përson “që të mbaron punë”, por më duhet ta pranoj se kam një problem me zvarritjen e punëve. Nuk është se jam përtace. Jam e lumtur të punoj shumë dhe i kushtoj shumë orë, dhe shijoj shumë pak gjëra, si kënaqësia e përfundimit të një projekti. Por përsëri zakonisht e shoh veten duke ju shmangur kërkimit fillestar në projektet e mëdha apo afatgjata, shpesh duke i shtyrë ato derisa më duhet të ngutem për të përmbushur afatin e dorëzimit.
Kohët e fundit zbulova se pse e bëj këtë: kam pretenduar gjithmonë se më duhet të bëj progres në projektet e mëdha me hapa të mëdhenj. Por Jezusi më ndihmoi të shihja duke zbatuar parimin tim të vrapit në punën time, me hapa të vegjël mund të rris në maksimum produktivitetin, të lëviz më shpejt, të mbuloj të njëjtën distancë në më pak kohë dhe me më pak përpjekje, dhe të mos ndihem e rraskapitur në fund.
Nuk pres më të përfundoj një punë shtatë ditore në kalendarin tim përpara se të filloj punën me një projekt tjetër shtatë ditor. Nëse kam një apo dy orë të lira, mund ta përdor këtë kohë dhe të filloj, të hedh një hap të vogël. Më pas, mund të punoj edhe pak të nesërmen, një tjetër hap i vogël, dhe pak më shumë ditën tjetër, dhe ditën pas saj. Duke punuar në këtë mënyrë, shoh se i afrohem fundit të asaj që fillimisht më dukej si një projekt i frikshëm, edhe pa i kushtuar orë të gjata pune. Dhe kështu nuk ndihem, sikur kam vrapuar në një maraton. Puna u bë, sepse unë iu përkushtova pak e nga pak. Dhe ndërkohë që po bëhet, unë mund të marr frymë! Nuk po ngutem në mënyrë të dëshpëruar. Nuk po stërmundohem të arrij largësinë. Po mësoj se ndonjëherë përmirësimi më i mirë dhe që zgjat më shumë në kohë nuk bëhet nga një lëvizje rrënjësore, por pak nga pak dhe hap mbas hapi. Me hapa të vegjël arrin progres më të shpejtë.