A keni menduar ndonjëherë se përse herë pas here në eksperiencën e jetës goditemi nga vështirësitë? Atëherë kur je duke lulëzuar dhe ke shënuar disa arritje në jetë, ndodh diçka që të largon lumturinë që kishe arritur. “Përse të ndodhë?” Përse tani?” Përse mua?” Këto pyetje, në vend që të na ndihmojnë të ndryshojmë situatën, vetëm e përkeqësojnë atë. Dhe në fund i thua vetes se edhe nëse ti nuk mund të shohësh asgjë pozitive nga beteja me të cilën po përballesh, Zoti mundet. Ai ka gjithmonë një plan. Prandaj ti i beson Atij, nuk dorëzohesh, dhe Ai e gjen zgjidhjen në fund.
Para pak kohësh, ndodhesha midis asaj fazës së pyetjeve dhe të besuarit kur bashkëshorti im Ivo, u kthye nga vrapi dhe më tregoi për diçka që sapo e kishte parë. Ne jetojmë në një lagje kodrinore me shumë pemë të lulëzuara dhe kopshte të bukura. Kjo është fantastike për Ivon i cili e pëlqen shumë stërvitjen dhe kopshtarinë.
Çdo mëngjes, ai kalon në një vend të quajtur glorieta – një shesh me një burim, lule dhe bar – dhe atë ditë ai kishte vënë re një pjesë bari që po zverdhej si pasojë e mungesës së ujit. Pjesës tjetër të parcelës i shkonte goxha ujë nga impiantet ujitëse, por një nga spërkatësit e prishur kishte shkaktuar tharjen e kësaj pjese bari.
Në momentin që Ivo ndaloi ta vëzhgonte, kopshtari i lagjes kaloi aty pranë dhe e pa problemin.
Ai eci drejt impiantit të dëmtuar, nxorri një çekiç nga kutia e veglave dhe goditi disa herë me goditje të shkurtra dhe të forta kokën e spërkatësit. Nga sa u duk, disa papastërti kishin bllokuar kokën e një prej spërkatësve. Por, ato pak goditje e liruan atë. Uji filloi të rridhte menjëherë dhe me shumë presion duke lagur edhe zonën e tharë. Pas pak kohësh, ajo pjesë bari u bë sërish e gjelbër dhe e bukur, si pjesa tjetër e parcelës.
Zoti, ashtu si kopshtari, lejon ndonjëherë që jeta të na japë ca goditje të forta që të na pastrojë, në mënyrë që ne të funksionojmë më mirë për të zbukuruar pjesën tonë të kopështit të Tij.