Kohët e fundit lexova një artikull që tregonte sesi ndikojnë në gjendjen tonë emocionale disa fjalë. Dhe nuk është për t’u çuditur kur mëson se fjalë si pranoj, zemërbardhë, përqafoj, shkëlqim, humor, qesh, luaj shkaktojnë ndjenja positive tek njerëzit. Në të njëjtën mënyrë, kur dëgjojmë emrin e një njeriu të dashur ndihemi të lumtur. Provojeni! Mbyllni sytë dhe thoni emrin e dikujt që e doni shumë. A nuk ju bëri të buzëqeshni?
Kur dëgjoj fjalën “Jezus”, nuk mund të rri pa buzëqeshur. Thjesht tingulli i emrit të Tij tregon gjithçka Ai është—miku im më i afërt, një udhëheqës gjithnjë i pranishëm dhe zëri im i brendshëm, forca ime dhe njeriu më i besuar që njeh edhe frikën time më të madhe, dëshirat dhe mendimet e mia.
Bibla na inkurajon të lutemi për gjithçka. 1 Përpiqem që këtë këshillë ta ndjek fjalë për fjalë siç është, prandaj Jezusi merr përsipër shumë gjëra në jetën time. Ai bëhet këshilltari im financiar; Ai bëhet agjenti im imobiliar kur po kërkoj për shtëpi, bëhet edhe kuzhinier kur më duhet të gatuaj për shumë njerëz. Dhe kuptoj se kjo është ajo që Ai dëshiron—të jetë pjesë e çdo aspekti të jetës sime.
Para pak ditësh, po mendoja për një vendim të rëndësishëm personal. Çfarëdo që të vendosja, nuk mund të kthehesha pas dhe do të kishte pasoja afatgjata. Ndjeja tensionin dhe përgjegjësinë që më rritej. Ndërsa përpiqesha të arrija në një konkluzion, dëgjova papritur një zë brenda meje të më thoshte, Pse shqetësohesh? Jezusi është këtu! Tingulli i emrit të Tij më ndryshoi plotësisht perspektivën. U kujtova se Jezusi donte të më ndihmonte të vendosja dhe nëse e pyesja Atë, patjetër që do të më orientonte në rrugën e duhur.
Shpesh e gjej veten duke kënduar një këngë që e kam mësuar kur isha e vogël. Vargu im i preferuar thotë, “Ka fuqi, fuqi në emrin e Jezusit.” Duke u rritur kam kuptuar sa të vërteta janë këto vargje. Ne të gjithë kemi emra të bukur. Prindërit tanë na i vendosën duke shpresuar të jemi në lartësinë e këtyre emrave. Megjithatë, emri i Jezusit mbart qëllimin e tij unik në vetvete. “Jezus,” që do të thotë “Zoti është me ne,” duke shfaqur identitetin e Tij, natyrën e Tij hyjnore, qëllimin e Tij si Shpëtimtari i botës sonë.
Prandaj emir i Tij është kaq i çmuar. Jezus—gjithçka është në emrin e Tij! 2