Buzëqeshjet janë të fuqishme. Me shumë gjasa, ju keni takuar njerëz me dhunti, siç kam takuar edhe unë, të cilët rrezatojnë ngrohtësi dhe dashamirësi gjatë gjithë kohës. Ata buzëqeshin aq shumë, saqë vetëm duke ndenjur pranë tyre, mbush baterinë tënde shpirtërore. Edhe foshnjat janë eksperte për këtë. Pa thënë asnjë fjalë, ato ta ndriçojnë ditën me buzëqeshjet e tyre.
Ditët e sotme, shumë kompani i trajnojnë punonjësit e tyre t’u buzëqeshin klientëve, edhe kur po flasin në telefon me ta. Sigurisht, që buzëqeshja profesionale ndonjëherë mund të duket e shtirur. Në fakt, janë bërë kërkime të gjera mbi natyrën e buzëqeshjes për të përcaktuar cila buzëqeshje duket e vërtetë. Këto zbulime janë të dobishme kur përzgjedh jurinë apo përcakton sinqeritetin e dikujt që ke nevojë t’i zësh besë.
Studimet treguan, se edhe kur e dimë që këto buzëqeshje profesionale janë ndonjëherë të shtirura, ua ndiejmë mungesën kur punonjësit nuk buzëqeshin. Këtë e di çdokush, që ka ndier efektet negative të një fytyre të ngrysur të një arkëtari me temperament të keq.
Kohët e fundit, lexova një artikull mbi një burrë të quajtur Hans Bergen, i cili jetonte në qytetin e vogël Ida, në Holandë, fytyra e të cilit ishte e shpërfytyruar. Ai jetonte një jetë të vetmuar, i refuzuar nga çdokush në komunitetin e tij dhe i përçmuar edhe nga vetë të afërmit e tij.
Çdokush që ai takonte, dukej se e injoronte ose e tallte, përveç një vajze të re të quajtur Ana Martin, e cila i dhuroi një buzëqeshje të ngrohtë, herën e vetme që ajo e takoi. Kur ky njeri vdiq, ai i la asaj një sasi të konsiderueshme parash në testamentin e tij, në vlerësim të ngrohtësisë që ajo i kishte treguar. “Ajo ishte e vetmja që më buzëqeshi,” shkroi ai.
Një miku im përjetoi një histori të ngjashme. Helga ishte vullnetare në Tajlandë, kur ajo takoi një fermer të moshuar i cili po pushonte në plazh, gjatë pushimeve të tij. Ai i dhuroi një buzëqeshje miqësore dhe mes tyre lindi biseda. Gjatë 20 viteve të ardhshme, ata vazhduan t’i shkruanin njëri-tjetrit afërsisht një herë në muaj, por ata s’u takuan më kurrë. Më pas një ditë, Helga mori një letër nga avokati i tij, ku shkruante se ai i kishte lënë asaj një trashëgimi të madhe në shenjë mirënjohjeje për mirësinë dhe kujdesin që ajo kishte treguar në komunikimin me të.
Mos e nënvlerësoni kurrë vlerën e një buzëqeshjeje. Nuk kushton asgjë, dhe ne kemi një pafundësi buzëqeshjesh për të dhënë.