Nëse jeni si unë, me siguri e keni idenë se si duhet të jenë Krishtlindjet ideale. Ndoshta keni në mendje një pemë me zbukurime të përkryera, një vend ideal për të shkuar me pushime, darkën e përkryer të Krishtlindjeve rrethuar nga familjarë dhe miq, pijet, torta e Krishtlindjes e çdo gjë tjetër që ju pëlqen. Ndoshta pak muzikë në sfond kur të jeni duke hapur dhuratat dhe brenda tyre do jetë ajo që keni dashur gjithmonë …

Krishtlindjet e mia, rrallëherë kanë qenë kaq interesante apo të përkryera. Sigurisht, kanë qenë të bukura dhe jam kënaqur, kam krijuar kujtime të mrekullueshme, por fjalët që do të përshkruanin disa prej Krishtlindjeve të mia të fundit variojnë nga “Krishtlindje të qeta” deri te “përqafoje kaosin”. Dhe asnjë prej tyre nuk ishte si Krishtlindjet ideale që unë kisha në mendjee megjithatë, të gjitha më kanë dhuruar kujtime të veçanta të cilat i ruaj si thesar.

Kohët e fundit jam bindur se Krishtlindjet nuk duhet të jenë patjetër të përkryera. Nuk duhet të jenë magjike për sa kohë ka dashuri, lumturi dhe mjaftueshëm kohë për të festuar lindjen e Jezusit.

Mbi të gjitha, Krishtlindjet e para ishin shumë të rrëmujshme. Nëse do të na duhej t’i ribënim në mënyrë perfekte, do të na duhej të ishim pa shtëpi, të lodhur dhe duke udhëtuar për qëllimin e vetëm: të regjistroheshim për taksat. Kjo nuk duket aq e bukur dhe perfekte për askënd! Shtoji kësaj edhe të pasurit një fëmijë dhe duke kaluar natën me lopë e dele, dhe sapo ke përshkruar ditën time më të keqe!

Megjithatë, Zoti përdori magjinë e Tij të veçantë atë natë, me engjëjt që shfaqeshin para barinjve dhe një yll të ri i cili drejtonte njerëzit e mençur për të kërkuar mbretin e sapolindur. Jam e sigurt se Maria dhe Jozefi e çmonin gjithmonë atë natë të çmendur dhe gjithmonë ia tregonin me detaje historinë mahnitëse Jezusit gjatë fëmijërisë së Tij. Edhe sot, jeta mund të jetë goxha e rrëmujshme, por Jezusi shfaqet gjithmonë dhe bën mrekullira.

Kur jam disi joentuziaste me Krishtlindjet e mia, një gjë që më vjen në ndihmë është të zbukuroj Krishtlindjet e dikujt tjetër. Kur isha fëmijë, gjatë sezonit të Krishtlindjeve, familja ime vizitonte shtëpinë e të moshuarve. Ishte shumë bukur të shihje se sa lumturi mund t’u sillnim. Thjesht prezenca jonë pranë tyre, i bënte ata të besonin se nuk ishin vetëm apo se i kishin harruar. Dhe se dikush ishte kujdesur t’u këndonte këngët e Krishtlindjeve, të shkruante kartolinat dhe çfarëdo tjetër që bënim çdo vit.

Nuk ka asgjë të keqe të kalosh kohë për të krijuar një atmosferë të gëzueshme Krishtlindjesh sipas traditave dhe të presësh prej tyre gjëra që do t’i bënin ato akoma më të veçanta për ju, miqtë dhe familjarët tuaj; por mos harronimund ta gjeni bukurinë e tyre edhe gjatë momenteve të vështira. Zotit shpesh i pëlqen të shfaqet kur rrethanat janë të vështira, ashtu siç bëri në ahur shumë kohë më parë, dhe mund t’ju ndihmojë të përqëndroheni tek gjërat që i bëjnë Krishtlindjet tuaja vërtetë të mrekulleushme.

Kur po shkruaja këtë artikull kërkova në google për “Krishtlindjet joperfekte” dhe mësova se nuk isha e vetme; shumë njerëz të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore kanë zbuluar si të jenë të lumtur edhe me Krishtlindjet, që nuk ishin të përkryera si ato që kishin patur në mendje.

Profesori Gordon Flett nga universiteti i York-ut në Kanada, pas një studimi bëri këtë deklaratë interesante: “Krishtlindjet pasqyrojnë pritshmëritë e njerëzve për t’i patur gjërat siç duhet. Ne kemi një shoqëri konsumatore e cila mendon se po pate pamjen e përkryer apo arritje të përkryera, edhe jeta në vijim do të jetë e përkryer. Njerëzit përpiqen shumë për të arritur këto ideale, por kur vjen koha e festave, janë të stresuar.”

Një komentuese e quajtur Sara shkroi: “Ndonjëherë është e lehtë të joshesh nga idetë e ndryshme të një arredimi, ushqimi dhe atmosfere perfekte të Krishtlindjeve. E gjithë ideja paraqet faktin se nëse zbukurojmë bukur, do të jetë e bukur dhe në një lloj mënyre ambienti rrethues ndikon në paqen dhe harenë tonë të brendshme, dhe është mbrojtja jonë më e mirë kundër realitetit tonë joperfekt të Krishtlindjeve. Këtë vit … po festoj Krishtlindjet e mia joperfekte. Ndoshta askush nuk do ta fiksojë këtë moment, por … unë jam ulur këtu tani, nën shkëlqimin e mijëra dritave shumëngjyrëshe, dhe i dua shumë Krishtlindjet e mia joperfekte dhe familjen time joperfekte. Pa kuptuar përse, gjithçka duket e qetë dhe e ndritshme”.

Për Krishtlindje ne festojmë ardhjen e Jezusit në tokë në një ambient totalisht joperfekt, por dashuria që sjell tek ne lindja e Tij e bën atë ditë të paharrueshme. Kujtimet më të bukrua të Krishtlindjeve nuk lidhen domosdoshmërisht me një ambient të përkryer, por me momentet disi të çmendura që përjetojmë, kur rrethohemi nga dashuria e familjarëve dhe miqve tanë. Nëse ndalemi dhe mendojmë sesa shumë gjëra të mira që kemi, atëherë mund të kalojmë një Krishtlindje të mrekullueshme joperfekte.

Po ju lë me një koment tjetër të bukur nga një tjetër komentues: “Krishtlindjet nuk lidhen me perfeksionin, por me festmin për Atë që na shpëtoi nga kërkesa e pamundur për të qenë të përkryer.” 1


  1. Jetoni joperfeksionin,” Një Nënë e Thjeshtë,