Isha përpjekur të mos mendoja për Krishtlindjet, duke mos e pritur me shumë gëzim dhe duke shpresuar edhe për atë që dukej e pamundur, ardhjen e një engjëlli në jetën time që do të rregullonte gjithçka. Madje u përpoqa të shtirem se ishte një ditë e zakonshme, asgjë e veçantë, me shpresën se kështu do të largoja vetminë. Por, nuk mund ta shmangia: Krishtlindjet ishin kudo hidhja sytë dhe unë isha vetëm. Nuk kisha askënd me të cilin të flisja, të qeshja dhe askënd që të më uronte Gëzuar Krishtlindjet. Pas çdo minute që kalonte isha akoma më e dëshpëruar dhe kësaj i trembesha më shumë!
Për t’i ngritur humorin vetes, fillova të kërkoj kujtime të bukura që të më zinin mendimet. M’u shfaq mësuesi i kursit Biblik të së Dielës. Ai ishte një njeri gazmor, i cili kalonte shumë kohë me ne fëmijët dhe kishte aftësinë që t’i kthente gjërat me humor. Ai thoshte se Jezusi ishte gëzimi i jetës së tij. Fjalët e tij më vinin ndër mend ndërsa mendoja për ato ditë fëmijërie: “Thjesht mbani Jezusin me vete”.
A do funksiononte? Mendova për këtë gjë. Isha vetëm—askush nuk do ta kuptonte ndryshimin. Kështu që vendosa menjëherë që ta bëj Jezusin shokun tim të ditës.
Bëmë çdo gjë bashkë: pimë çokollatë të ngrohtë pranë zjarrit, shëtitëm nëpër rrugë së bashku, biseduam sesa e bukur ishte bota, qeshëm dhe përshëndetëm me dorë kalimtarët. Mund ta ndjeja krahun e tij rreth meje pothuajse kudo që shkoja dhe dëgjoja zërin e Tij kur më fliste. Në pëshpërimë, përtej mbretërisë së tingujve të dëgjueshëm, Ai më tha se më donte—po, mua—dhe se do të ishte gjithmonë miku im. Po kuptoja se nuk do të isha më kurrë vetëm.
Kur u shtriva për të fjetur atë natë Krishtlindjesh, u ndjeva shumë e lumtur, në paqe, e kënaqur. Herë herë më dukej e çuditshme, por pastaj jo më. E kisha kaluar ditën me Jezusin dhe po uroja që dhe të tjerët të kishin kaluar Krishtlindje po aq të lumtura sa dhe unë.