Gjyshja ime Sabina ishte një shenjtore, që unë pata privilegjin ta njihja personalisht. Ajo nuk kishte certifikatë lindjeje, por shkoi në shkollë mjaftueshëm të mësonte të lexonte mirë. Ajo e lexonte Biblën e saj çdo ditë dhe asnjëherë nuk humbiste asnjë meshë të diele. Ajo ishte e mirë dhe e sjellshme, por kurrë nuk humbiste asnjë mundësi për të na mësuar diçka, që do të ndërtonte karakterin tonë, si herën kur motra ime, kushërinjtë e mi dhe unë vodhëm fruta në lagje. Ajo na hodhi vetëm një vështrim, kur mbërritëm në shtëpi për ta ditur që ishim sjellë keq. Pasi ne e pranonim çfarë kishim bërë, ajo na çonte të kërkonim ndjesë.
Ajo ishte personi i vetëm që unë i kërkoja bekimin apo që i puthja dorën kur e përshëndeja, sipas zakonit të vjetër, por e ndieja magjinë kur ajo përgjigjej: “Zoti të bekoftë, bija ime e vogël!” Ajo ishte e vogël dhe e brishtë, por 8 fëmijët e saj dhe 14 nipërit dhe mbesat e donin dhe kujdeseshin për të. Babi im thotë se ajo jetoi gjithë jetën për familjen e saj dhe ai nuk e kishte dëgjuar kurrë të ankohej. Ajo ishte një grua e shkëlqyer, e cila kishte ndikuar te shumë persona gjatë rrugës së saj, duke më përfshirë këtu edhe mua.
Ajo më kujton një tjetër person të mrekullueshëm, Nënë Terezën e Kalkutës. Pashë kohët e fundit filmin biografik The Letters of Mother Teresa. Filmi portretizon fillimet e saj modeste me të varfrit, dhe si disa nga nxënësit e saj të pasur vendosën t’ua jepnin jetën e tyre Jezusit falë shembullit të saj. Gjithashtu, tregon vuajtjet e saj, si edhe flet për kritikët e saj, njerëz që donin t’i ndalonin veprat e saj të mira.
Shembulli i saj i dashurisë do të jetojë përgjithmonë dhe do të vazhdojë të ndikojë te shumë njerëz, të brezave që do të vijnë. Edhe pse ajo nuk pati fëmijë si gjyshja ime, ajo dha jetën e saj për fëmijët e Zotit. Motoja e saj ishte: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” 1 Ajo pa Jezusin te çdokush që ndihmoi. Të ndihmonte të tjerët ishte mënyra e saj për t’i falënderuar Jezusin për atë që kishte bërë për të përmes mësimeve të Tij dhe vdekjes në kryq. Shembulli i saj i dashurisë do të jetojë përgjithmonë dhe do të vazhdojë të ndikojë te shumë njerëz nga brezat që do të vijnë.
Pse nuk ka më shumë Nënë Tereza? Ma merr mendja se njerëzit nuk e kuptojnë thellësinë e dashurisë së Zotit për njerëzimin, siç e kuptonte ajo. Unë ende po mësoj për të. Siç thotë edhe himni i vjetër: “I gjerë, i gjerë si oqeani, i lartë si parajsa lart, i thellë, i thellë si deti i thellë është dashuria e Shpëtimtarit tim.” 2