Para disa kohësh, vizitova një mik që kërkonte këshilla për një problem që e shqetësonte. Një ish-koleg kishte nisur biznesin e tij, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me të. Për më tepër, ai i kishte marrë disa nga klientët. Miku im nuk ishte vetëm i shqetësuar për humbjen e klientelës, por mbi të gjitha, ishte i prekur nga zemërimi dhe emocionet negative që ndiente sa herë që kalonte pranë biznesit të ish-kolegut të tij apo e kujtonte situatën.
E kuptova shumë mirë situatën, sepse edhe unë diçka të ngjashme kisha përjetuar vite më parë. Një ekip misionarësh nga një vend tjetër na shkroi duke kërkuar të bashkoheshin me misionin tonë në Filipine. Pas konsultash dhe lutjesh, vendosëm t’i ftonim, por kjo donte të thoshte se do na duhej një shtëpi më e madhe për t’i strehuar. Pas shumë kërkimesh, gjetëm një shtëpi të madhe, por që kishte nevojë për rinovim të plotë: dyshemetë ishin dëmtuar nga termitet, tubacionet e ujit duheshin zëvendësuar, si dhe shumë gjëra të tjera. Dhamë gjithçka që kishim nga kursimet tona për këtë shtëpi.
Por ja që, sapo ata arritën, kuptuam se kishim vizione të ndryshme mbi mënyrën se si do të duhej ta kryenim punën misionare. Ishte një situatë e vështirë. E ndjeva se, meqë ata sapo kishin ardhur në vend dhe ishin të rinj në këtë mision, do të ishte më e drejtë t’u lija shtëpinë që sapo kishim investuar kaq shumë kohë, mund dhe para për ta rinovuar. Dhe e bëmë këtë. Dhe pikërisht atëherë, Zoti veproi! Ndërsa më parë na kishte marrë muaj të tërë për të gjetur dhe rregulluar atë shtëpi, në vetëm një javë gjeta një tjetër, të përsosur për ne, në një vend të mirë dhe me gjithçka që na duhej.
Fillimisht, kur kuptova se planet nuk do të ecnin siç i kisha menduar, përjetova ndjenja të përziera—zemërim, zhgënjim dhe shqetësim për të ardhmen. Si do të fillonim gjithçka nga e para? Por ndërkohë që lexoja Biblën, hasa në një histori që më dha paqe dhe forcë—historinë e Isakut tek Zanafilla 26.
Në atë kohë, Isaku dhe fisi i tij nuk kishin tokën e tyre; jetonin si të huaj mes mbretërve të ndryshëm të Kananit. Sigurimi i ujit ishte i vështirë, por Zoti e bekonte Isakun kudo që groposte puse—gjithmonë gjente ujë të bollshëm. Megjithatë, fqinjët e tij shpesh xhelozoheshin dhe e shtynin të largohej. Në vend që të luftonte për to, Isaku vazhdonte përpara, duke kërkuar paqen. Dhe çdo herë, Zoti e bekonte përsëri. Në fund, madje një nga mbretërit që e kishte dëbuar, e kërkoi për të bërë paqe me të, sepse pa qartë se Perëndia ishte me të.
Kjo histori më dha besimin se bëra gjënë e duhur duke kërkuar paqen, edhe kur kjo më kushtoi shumë. Më ndihmoi gjithashtu të mos lejoja hidhërimin apo zemërimin të pushtonin zemrën time. U përqendrova në atë që duhej të bëja për të vazhduar në bindje ndaj Zotit—dhe bekimet erdhën! Ishte magjepsëse të shihja sesi Ai kujdesej për ne.
Në një botë ku duket se të gjithë duan të luftojnë për atë që e konsiderojnë “të drejtën e tyre”, ku njerëzit janë të prirur të hakmerren për padrejtësitë që kanë përjetuar, mendoj se fjalët e Jezusit duhet të jenë busulla jonë: “Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.” Dhe pak më vonë në të njëjtën predikim Ai tha: “Nëse dikush kërkon të të padisë dhe të të marrë këmishën, lëre t’i marrë edhe mantelin.” (Mateu 5:9, 40)
Nuk dua të them se duhet të qëndrojmë duarkryq kur të drejtat tona shkelen, por si të krishterë, duhet të kemi besim se Zoti është në kontroll. Edhe nëse ndonjëherë duket sikur po “humbasim”, asnjë humbje nuk mbetet pa zëvendësuar nga Zoti. Zemërimi dhe hidhërimi vetëm na lëndojnë më shumë. Dhe në fund të fundit, gjithçka është në duart e Tij!