Dubli një
Të dëgjoja gërvishtjen e llamarinës kur po ecja mbrapsht në vend-parkimin tim, pothuajse më ngriu gjakun. E kisha me nxitim dhe e pashë nxitimthi parkingun para se të hipja në timon, por disi nuk e vura re një kamion që ishte parkuar në një vend të pazakontë.
Me shpejtësi dola nga makina për të ekzaminuar dëmin dhe pashë një të gërvishtur të madhe dhe një pjesë llamarine të shtrembëruar në pjesën e pasme të makinës, plus një fener të thyer në pjesën e pasme të kamionit. Shkrova e shkujdesur një shënim ku kërkoja ndjesë dhe numrin e telefonit në një letër, të cilën e lashë nën fshirësen e xhamit të përparmë të makinës tjetër. Do të më duhej të merresha më vonë me këtë incident, kur të kthehesha në shtëpi. Me nerva të trazuara ngava makinën drejt portës.
Kisha planifikuar t’i shmangia orët e trafikut, por kur arrita në rrugën kryesore, kuptova se për fatin tim të keq, trafiku tashmë kishte filluar, gjë që tregonte se do të bëhesha vonë për një takim të rëndësishëm. Me padurim turfulloja në timon, ndërkohë që trafiku shtohej përgjatë rrugës me dy korsi të mbipopulluara.
Ndihesha e irrituar për shkak të incidentit në parking dhe vazhdova ta riktheja skenën në mendjen time, duke u përpjekur të kuptoja si nuk e vura re makinën e parkuar aty. Dita sapo kishte filluar dhe më ishin krijuar tashmë nyje në stomak, kur një mini-fugon hyri papritmas në korsinë time, fiks përpara meje. Hapa dritaren time dhe e qortova e zemëruar. Mendova, Është e tepërt edhe për mirësinë e krishterë. Në fakt, nuk ndjeva ndonjë mirësi për ditën, e cila kishte nisur si mos më keq.
Qëndrimi në trafik më dha kohë të mendohesha dhe të reflektoja mbi rutinën time të mëngjesit të para disa javëve, dhe kuptova që momentet e mia të zakonshme me Zotin ishin shtyrë për shkak të ngarkesës së shtuar të punës dhe një programi të ngjeshur. Duhej sikur që atëherë, kisha filluar të irritohesha shpejt dhe isha jashtëzakonisht gjaknxehtë. Pikërisht aty, kur trafiku me ngadalë po shpërndahej, u zotova të riktheja në mëngjes momentet e mia të përkushtimit.
Dubli dy
Programi i javës pasardhëse ishte i ngjeshur, dhe duke i hedhur një sy agjendës sime, dukej se nuk kishte fare hapësirë për ndonjë gjë tjetër përveç punës. Për të organizuar ngarkesën e punës, me siguri do të më duhej shumë durim dhe këmbëngulje. Kisha nevojë për një plan.
Vendosa ta vija alarmin gjysmë ore më herët dhe të krijoja një dosje me shumëllojshmëri materialesh përkushtimi dhe një bllok të zbrazët shënimesh me një stilolaps, të cilën do ta mbaja në dhomën e ndenjjes për kohën time me Zotin, që do të kalojë çdo mëngjes. E dija që zgjimi herët do të ishte një sakrificë, duke qenë se unë ruaja me fanatizëm çdo minutë gjumë, por isha e vendosur të bëja një përpjekje për këtë zotim të ri.
Kur ra alarmi mëngjesin e parë, unë mblodha energjitë për t’u çuar duke u zvarritur nga krevati dhe ashtu duke fjetur eca deri në dhomën e ndenjjes, ku u ula në një cep të kolltukut. Ishte ende errësirë jashtë, por kënga e qartë si kristali i zogjve të parë filloi të lajmëronte daljen e diellit. Kënga e tyre dukej si lutje ndaj Zotit dhe më frymëzoi që në të njëjtën mënyrë, plot me energji të nisja ditën duke numëruar bekimet e mia.
Kur rrezet e para e të ndrojtura mbërritën në dhomën time, u ndjeva më e zgjuar dhe mora librin tim të përditshëm për të lexuar paragrafin e ditës. E frymëzuar nga teksti, që dukej sikur ishte këshillë me porosi për javën e ngjeshur që më priste, kopjova një paragraf në bllokun tim të shënimeve. Më pas, u luta për të gjitha aspektet e listës sime të gjërave për të bërë dhe kalova pak kohë duke medituar mbi lutjet e javës pararendëse. Pasi mbaroi gjysmë orëshi, u ndjeva e freskët dhe gati të përballesha me ditën.
Kur fillova të zhvilloja takimet e mia gjysmë orëshe me Zotin, nuk ishte mungesa e problemeve, pengesave, apo të papriturave që e bënte punën time të suksesshme, por mënyrë se si unë reagoja ndaj tyre, që më ndihmoi të lehtësoja të sheshoja kreshtat e vështira, të kontrolloja nervat, dhe jam e sigurt, që më bëri një person më të këndshëm për të tjerët. Momentet e mia me Zotin në mëngjes edhe një herë u kthyen në një zakon. Ky takim i parë i ditës më jepte fuqinë të përballoja stuhitë e jetës, të ruaja paqen, të kisha më qartësi në mendime, dhe të procedoja situatat me një mënyrë më përfituese.