Reklamat zakonisht pasqyrojnë më tepër se vetë produkti në shitje. Një reklamë për një pishinë plastike më ajër mund të tregojë një familje të lumtur duke luajtur në ujë. Por nëse e blen pishinën, a do të merrni edhe një familje të lumtur?
Kur po mendoja të blija një pishinë të tillë për djemtë e mi, më duhej t’u shpjegoja se ka shumë gjëra të tjera përtej asaj që sheh syri. Për shembull, pas një dite të bukur duke luajtur në pishinë, uji i ftohet dhe ndotet dhe për ta pastruar duhet shumë punë. Nëse pishina nuk shfryhet pas çdo përdorimi, bari poshtë saj zverdhet, thahet dhe mban erë të keqe. U bëra të ditur se e kishin ata në dorë të vendosnin sesa kënaqësi do të merrnin nga pishina dhe sesa të gatshëm do të ishin për ta mbajtur pastër. Sa do të prisnin të ngrohej koha dhe sa do tregoheshin të duruar derisa të fryhej dhe të mbushej me ujë.
Kështu janë edhe kubat Lego me ngjyra. Kur djemtë e mi shohin reklamat e tyre, ata menjëherë kanë dëshirë të ndërtojnë anijen kozmike ose avionin. Por pavarësisht fotove dhe argëtimit që tregojnë, lumturia nuk vjen nga seti i kubave—këtë duhet ta gjejnë vetë ata që luajnë me kubat.
Kur krijimet e tyre prishen—siç ndodh me të gjitha krijimet me kuba—djemtë e mi kanë nevojë për optimizëm dhe alegri që të mos mërziten, dhe këmbëngulje që të fillojnë të luajnë përsëri. Këto cilësi nuk përfshihen në setin e kubave, por pa to në vend të buzëqeshjeve do të ketë zhgënjime.
Vetëm sendet, pozitat dhe të mirat materiale nuk mund t’ju sjellin lumturi. Nuk ka dyqan që shet “gëzim”. Ai vjen nga brenda, nga një jetë me mirësi dhe bujari, dhe nga Jezusi që është burimi i dashurisë. Ai mund të na ndihmojë të mendojmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë. “Ti do të më tregosh udhën e jetës; ka shumë gëzim në praninë Tënde; në të djathtën Tënde ka kënaqësi në përjetësi.” 1
Nëse keni pishinë shijojeni, por mos u gënjeni nga reklamat vezulluese. Jetën e ndërtojmë vetë ne me vendimet që marrim. Nëse e ke zemrën plot gëzim, pjesa tjetër është bonus.
- Psalmet 16:11 ↑