Burri im dhe unë po ktheheshim në shtëpi pas një fundjave të gjatë larg me familjen tonë. Vajzat tona po flinin paqësisht në sediljen e pasme dhe unë e gjeta veten duke rikujtuar vitet e kaluara që kishim ndarë si burrë e grua – vite që pothuajse dukeshin një turbullirë, për shkak të angazhimeve të familjes me kërkesat e shumta të jetës dhe punës. Jam mirënjohëse që pavarësisht nga shumë sfida me të cilat jemi përballur, martesa jonë ka mbetur e fortë dhe ne të dy jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin.
Kur unë dhe burri im po njiheshim, unë kisha një pikëpamje të lumtur, ndonëse pak naive, për martesën. Supozova se nëse ishte e destinuar të ishim bashkë, atëherë martesa jonë thjesht do të rrjedhte. E përbuzja mendimin që duhet të punoja për të ndërtuar marrëdhëniet tona; në fund të fundit, caktimi i kohës për t’u takuar dhe kaluar së bashku ishte çka bëmë gjatë njohjes sonë. Kur të martoheshim, do të shiheshim gjatë gjithë kohës dhe prisja që kjo të mjaftonte për të rregulluar çdo problem. Spontaniteti ishte i rëndësishëm për mua dhe me të vërtetë doja të lejoja që martesa jonë të lulëzojë vetë.
Megjithatë shpejt e kuptova që, si të gjitha gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën tonë, edhe martesa jonë mori kohë për t’u mirëmbajtur dhe ushqyer. Përmbushja e afateve të mia, mbajtja e takimeve dhe të qenit korrekte me punën time deri në detaj, kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për mua, por i njëjti koncept ka qenë shumë i vështirë për t’u përkthyer në martesën time. E kuptova që gjetja e kohës për të ndërtuar martesën time ishte një element jetësor për të qëndruar e lidhur ngushtë me burrin tim, dhe më duhej të pranoja që kjo nuk do të ndodhte vetvetiu.
Ndërsa ka momente romantike në një martesë, ato periudha e ëmbla dhe rastet e veçanta që duket se përmbajnë dashurinë dhe respektin që ndjeni për njëri-tjetrin, gjithashtu shpesh duhet të mendohet, mundohet dhe kushtohet kohë, edhe nëse kjo do të thotë spontaniteti ka rol dytësor.
Realiteti është se nëse i kushtojmë kohë njëri-tjetrit, për të folur për veten, për t’u çlodhur në shoqërinë e njëri-tjetrit, për të shprehur dashurinë tonë, ku mund të lëmë mënjanë zënien e ditës sonë dhe të ndajmë një moment të qetë së bashku, ne po i japim vetes mundësinë për ta forcuar marrëdhënien tonë.