Shumica prej nesh janë të njohur me shprehjen “Dashuria nuk shteron kurrë.” 1 Është e ilustruar në librat e fëmijëve. Është thurur në këngë, histori dhe poema. Me sa kam kujtesë, gjithmonë i kam njohur Shkrimet e Shenjta.

Në vitet e rinisë së hershme, mendoja se dashuria ishte gjithmonë mjaftueshëm e fortë që unë të merrja atë që doja. “Dashuria” mbante asin nën mëngë dhe mundej disi t’ia arrinte qëllimit. Besoj se kisha një ide disi manipuluese të dashurisë. Mendoja se mund isha finoke, të bindja, arsyetoja dhe mbushja mendjen për të inkurajuar çfarëdo rezultat të ishte e nevojshme.

Kur kthej shikimin pas, shoh që e kam zbatuar këtë kuptim të “dashurisë” bujarisht në miqësitë e mia. Mendoja, “Dashuria nuk shteron kurrë. Sprovohet derisa arrihen rezultatet e nevojshme.” Mendoja se dashuria kishte licencë për të manipuluar, sepse “dashuria” ime për miqtë e mi, ishte vetëm pasi arritjes së rezultateve të mira.

Siç mund ta imagjinoni, kjo s’më bënte gjithmonë një shoqe të mirë apo të dëshiruar. Përpiqesha, përpiqesha vërtet, seriozisht, por në një mënyrë apo në një tjetër, gjithmonë ngelesha mangët. Ia dilja mbanë për mrekulli me njerëzit që nuk rrinin gjatë në jetën time. Dhe fakti se stili i jetës së familjes sime ishte të udhëtonim vazhdimisht funksiononte për mrekulli për mua. Edhe pse kisha shumë miq të afërt për një periudhë të shkurtër, shpesh nuk kisha pse të zgjidhja kontradikta me miqtë e mi, meqenëse ishim pranë njëri-tjetrit vetëm për një kohë të limituar.

Kur hyra në vitet e para të moshës njëzetvjeçare, u sistemova pak dhe qëndrova për disa vite në një vend. Atëherë, pata disa nga përvojat e para me uljet dhe ngritjet e marrëdhënieve të afërta. Ndonjëherë, gjërat shkonin shumë mirë dhe unë isha në sinkron me miqtë e mi. Herë të tjera, gjërat nuk shkonin dhe aq mirë. Njëri prej nesh haste vështirësi, bënte ndonjë gjë që lëndonte tjetrin, zhvillonte një interes në një hobi, që nuk e përfshinte tjetrin, ose vazhdonte një miqësi që nuk ishte përfshirëse.

Kur ndodhte kjo, unë gjithmonë përpiqesha të kuptoja si t’i ktheja gjërat si më parë. Nuk shikoja gjithmonë çfarë donte apo për çfarë kishte nevojë miku im. Thjesht mendoja se si gjërat duhet të ishin.

Kjo më bëri të hasja vështirësi me shoqen time më të ngushtë. Një kohë, unë dhe ajo ishim aq të pa sinkronizuara saqë qe e vështirë për mua të besoja që më parë kalonim aq shumë kohë të lirë duke ngjitur kodrat së bashku, frekuentonim kafenetë tona të preferuara dhe flisnim me orë të tëra me njëra-tjetrën. Ia ndieja mungesën dhe doja që gjërat të ktheheshin si më parë!

Pas shumë javësh që nuk sinkronizoheshim apo kuptonim njëra-tjetrën, gjendja u rëndua më shumë nga ç’mund ta përballoja dhe më në fund, gjeta pak kohë për t’u lutur për këtë. Vargu që Zoti më solli ndërmend është “Dashuria nuk shteron kurrë.” Isha më e dëshpëruar se zakonisht dhe ndieja se kisha nevojë të bërja diçka më të thellë. Më pas, gjërat m’u bënë të qarta: Dashuria nuk shteron kurrë. Dashuria nuk pret asnjë rezultat. Vetëm vazhdon të dojë!

Ky ishte thelbi që më nevojitej të kuptoja për çfarë flisnin vargjet vijuese në 1 e Korintasve 13. Dashuria “i përballon të gjitha” (nuk ka gjë nëse je mërzitur me mua); “beson në gjithçka” (e di që ti je person i mrekullueshëm); “shpreson për gjithçka” (e di që do te jemi gjithmonë miq); “përballon çdo gjë” (Mezi po pres derisa të duash të jemi miq sërish). Dashuria nuk shteron kurrë.

Kur e pashë shoqen time nga kjo perspektivë, nuk ndieja më urgjencën të “rregulloja” ndonjë gjë. Kuptova se unë e doja dhe e respektoja atë mjaftueshëm për të qenë e duruar, të vazhdoja ta doja dhe të prisja derisa ajo të ndihej gati për ta rikthyer miqësinë tonë si më parë. Pa dyshim, gjërat u përmirësuan shumë shpejt.

E pranoj me sportivitet edhe tani, më shumë se një dekadë më vonë, unë kam ende shumë për të mësuar mbi dashurinë. Bibla na thotë se “Zoti është dashuri.” 2 Kjo e bën pak a shumë të qartë se ne nuk do ta mbërthejmë plotësisht dashurinë apo të kemi vetë mjaftueshëm dashuri. Por ajo gjithashtu thekson pse dashuria është kaq e fuqishme, kaq me vlerë, për të cilën ia vlen të përpiqesh.

Dashuria ka shumë fytyra të ndryshme. Mund të jetë të nxjerrësh mamin për blerje, ta përmbash veten mos thumbosh shoqen, të dhurosh diçka që të pëlqen, por nga e cila nuk ke asnjë dobi, dhe lista vazhdon pa mbarim.

Në përpjekje për të përcaktuar nëse po e bëj diçka vërtet nga dashuria apo jo, kam mësuar se qëllimet e mia të vërteta ia tregoj vetes duke i bërë pyetjen, Cilat janë motivet e mia?Nëse po kërkoj një rezultat specifik, nga e cila përfitoj, apo nëse po e nxis për  një rezultat të paracaktuar, unë gjithmonë mund të reduktoj mundësitë se mos kam ndonjë motiv të fshehur.

Kur jam e sigurt që i kam spastruar motivet e mia egoiste dhe kam eliminuar justifikimet e mia dhe “arsyet e mira”, më mbetet vetëm një zgjedhje për t’u bërë: zgjedhja të vazhdoj të dua. Ndonjëherë, më kollaj thuhet se sa bëhet, por kam zbuluar se është thjesht çështje të bësh një zgjedhje dashurie pas tjetrës. Kur bëj më të mirën time ta realizoj këtë, gjej Zotin teksa kujdeset për pjesën e mbetur të gjërave.


  1. 1 Korintasve13:8
  2. 1 Gjonit 4:8