Ëndërrova se më kishin ftuar në një banket luksoz. Gjithçka përreth meje ndriçonte nga madhështia dhe shkëlqimi. Kupat e kristalit ishin mbushur me verërat më të mira dhe aty gjeje të gjitha pjatat e mia të preferuara. Më pas, jepej urdhri, “Ha dhe ji i lumtur.”
Ndaj, unë hëngra dhe isha e lumtur. Në kohën kur u shërbyen ëmbëlsirat, unë nuk haja dot as edhe një kafshatë tjetër, dhe më pas…
… Dëgjova alarmin. Ora 6:00 e mëngjesit.
U zgjova dhe me një psherëtimë zhgënjimi, e godita orën me alarm dhe u çova nga shtrati. Stomaku im po hungërinte dhe shkova e këputur në kuzhinë. Nuk kishte pjata të shijshme, nuk kishte verë, nuk kishte ëmbëlsirë. Fatmirësisht, kisha ende një pako bollguri.
Ushqimi në ëndrrat tona ka shije të mirë, dhe shpesh ka pamje më të mirë se ushqimi ynë i vërtetë, por ka një problem të dukshëm: nuk na mbush me energji.
Njerëzit kanë uri për më shumë sesa thjesht ushqim. Uria më e madhe në jetën e njeriut është uria për dashuri. Thellë brenda zemrave të gjithsecilit ka një vend të zbrazët që ka nevojë të mbushet, dhe ne të gjithë e kërkojmë me dëshpërim. Por njësoj siç ushqimi i mrekullueshëm në ëndrrat tona nuk na i mbush stomakun, shumë gjëra në këtë botë duken të mira, por nuk të kënaqin.
Trupat tanë kanë nevojë për ushqim fizik që të vazhdojnë të punojnë. Por shpirtrat tanë mund të kënaqen vetëm me Shpirtin e Madh të dashurisë që na krijoi. Nëse i ngatërrojmë gjërat dhe kërkojmë të gabuarat, ne do të zgjohemi të uritur, kur alarmi i jetës të fiket dhe të hyjmë në përjetësi. Do ta kuptojmë shumë vonë që nuk hëngrëm gjë që kishte vlerë të vërtetë.
Zoti i jep jetës sonë qëllim. Ai është synimi, plani dhe vizioni. Gjithçka vjen nga Ai dhe gjithçka duhet të ketë Atë si epiqendër. Jezusi erdhi në tokë për të na thënë që nuk jemi thjesht një aksident i rastësishëm në një univers të panjohur, por që ne jemi krijuar në imazhin e Atit tonë qiellor me një plan dhe me një qëllim. Ka shpresë, dhe ne nuk jemi thjesht një pikël zbrazëtie në një oqean të harresës së errët.