Si të krishterë, nuk jemi të imunizuar nga problemet, sfidat dhe vështirësitë e jetës së përditshme, apo nga stresi që ato mund të sjellin. Por ndryshimi është se ne kemi një shpresë të fortë të krishterë, të bazuar në marrëdhënien tonë personale me Perëndinë, shpëtimin tonë nëpërmjet besimit në Krishtin dhe premtimin e një jete të përjetshme në qiell. Edhe kur ndodhemi në mes të një kapitulli të vështirë të jetës sonë, e dimë si përfundon historia (1 Thesalonikasve 4:13–18). Gjithashtu, e kemi të qartë se Perëndia ka një qëllim për gjithçka që përjetojmë dhe ka premtuar se do t’i kthejë të gjitha gjërat në të mirë për ne (Romakëve 8:28).

Në Ungjillin e Gjonit, Jezusi siguron dishepujt e Tij dhe të gjithë ndjekësit e Tij në çdo kohë, se në Të ata do të kenë paqe, porse në këtë botë do të kenë edhe sprova. Pastaj i inkurajon të mos humbasin shpresën, sepse Ai e ka mundur botën (Gjoni 16:33). Historia na tregon se periudhat e vështirësive dhe sfidave shpesh kanë nxjerrë në pah një guxim të madh, sakrifica dhe përparime të rëndësishme. Shkrimtari anglez Caleb Colton (1777–1832) ka thënë: “Ari më i pastër nxirret nga furra më e nxehtë dhe rrufeja më e ndritshme vjen nga stuhia më e errët.”

Për shembull, një histori nga Greqia e lashtë tregon për një ushtar të Antigonit (382–301 p.e.s.), i cili vuante nga një sëmundje e dhembshme dhe nuk priste të jetonte gjatë. Duke qenë në pritje të vdekjes, ai luftonte me guxim të pashoq dhe ishte gjithmonë në vijën e parë të betejës. Por kur Antigoni, i impresionuar nga heroizmi i tij, e çoi ushtarin te një mjek i njohur që e shëroi, ai nuk u pa më në ballë të betejave. Papritur, ai nisi të shmangte rrezikun dhe t’i frikësohej humbjes së jetës së tij. Dikur tek ai tribulimet kishin nxitur guximin, por më vonë, dëshira për siguri e dobësoi si luftëtar.

Bibla na mëson se sfidat e jetës provojnë besimin tonë dhe e bëjnë atë më të vlefshëm se floriri—për të sjellë lavdi, nder dhe mirënjohje kur Jezu Krishti të zbulohet (1 Pjetrit 1:7). Ndonjëherë mund të dëshironim që një barrë të na hiqej menjëherë, një sëmundje të na largohej apo një shqetësim të na zhdukej, por në këtë mënyrë mund të humbnim atë që Perëndia dëshiron të bëjë në jetën tonë përmes tyre (Filipianëve 2:13).

Si t’i përballojmë sfidat e jetës

Kur jeta bëhet e mbingarkuar dhe na duket sikur nuk mund t’i dalim zot gjithçkaje, ku mund ta gjejmë forcën dhe shpresën që na nevojitet? Përgjigja gjendet në marrëdhënien tonë me Jezusin. Ai nuk na premtoi vetëm jetën e përjetshme në qiell, por siguroi se do të jetë me ne çdo moment deri sa të arrijmë atje. Na ka premtuar një të ardhme plot shpresë, gëzim, paqe, liri dhe dashuri të përjetshme. Bibla na inkurajon të mendojmë për gjërat fisnike, të drejta, të vërteta dhe të lavdërueshme (Filipianëve 4:8).

Perëndia është me ne, është për ne dhe, mbi të gjitha, është brenda nesh dhe nuk do të na lërë kurrë vetëm (Hebrenjve 13:5). Jezusi pagoi çmimin e mëkateve tona dhe na bëri të denjë për të marrë trashëgiminë e shenjtorëve në dritë. Perëndia na ka shpëtuar dhe na ka transferuar në mbretërinë e Birit të Tij të dashur, në të cilin kemi shpëtimin dhe shpresën e lavdisë (Kolosianëve 1:12–14, 27). Ai na do, kujdeset për ne dhe është me ne në çdo situatë.

Në një kohë të vështirë, në prag të luftës në vitin 1939, Mbreti Xhorxh VI i Anglisë citoi një poezi të Minnie Louise Haskins që vazhdon të frymëzojë edhe sot:

“I thashë atij që qëndronte në portën e vitit, Më jep një dritë që të eci i sigurt në të panjohurën. Dhe ai më tha: Dilu errësirës dhe vendose dorën në dorën e Perëndisë. Do të jetë për ty më e mirë se drita dhe më e sigurt se çdo rrugë e njohur.”

Jezusi është drita e botës dhe Ai na premtoi se kush e ndjek Atë nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës si udhërrëfyese (Gjoni 8:12).

Koha që kalojmë me Mjeshtrin

Kur kemi shumë përgjegjësi dhe na duket sikur koha nuk mjafton për gjithçka, është e lehtë të harrojmë të kalojmë kohë me Perëndinë përmes lutjes dhe leximit të Fjalës së Tij. Sikurse Marta në Bibël, edhe ne mund të shqetësohemi dhe të trazohemi për shumë gjëra. Jezusi e kujtoi atë se vetëm një gjë është vërtet e domosdoshme—të qëndrojmë pranë Tij dhe të dëgjojmë mësimet e Tij. Maria, motra e Martës, bëri pikërisht këtë duke qëndruar te këmbët e Jezusit dhe dëgjuar fjalët e Tij (Luka 10:38–42).

Stresi mund të ndikojë negativisht në shumë drejtime: mund të çojë në vendime të gabuara, të shuajë frymëzimin dhe të na bëjë të padurueshëm. Ai mund t’na privojë nga gëzimi dhe produktiviteti.

Është e rëndësishme ta dallojmë kur jemi duke u ndjerë të mbingarkuar dhe të marrim hapa për ta përballuar atë. Kjo fillon me dorëzimin e shqetësimeve tona te Perëndia përmes lutjes. Bibla na thotë: “Hidheni gjithë shqetësimin tuaj mbi Të, sepse Ai kujdeset për ju” (1 Pjetrit 5:7).

Kur jemi të mbingarkuar, shpesh hera e para që e lëmë pas dore është pikërisht ajo që na nevojitet më shumë, koha e përditshme me Perëndinë dhe Fjala e Tij. Nëse përkushtohemi ta fillojmë ditën me Të, ta lëmë në duart e Tij çdo brengë dhe shqetësim, Ai do të na udhëheqë dhe forcojë (Psalmi 55:22). Ndërsa ia dorëzojmë Atij barrat tona dhe i besojmë, Ai do të na japë paqe dhe do të na rifreskojë shpirtin (Mateu 11:28–30).

Mendo pak për këtë…

  • Jeta është si një maratonë, jo si një sprint, dhe Bibla na këshillon të vrapojmë me qëndrueshmëri garën e jetës, duke mbajtur sytë te Jezusi (Hebrenjve 12:1–2).
  • Pavarësisht sa të zënë jeni, mbani mend fjalët e Jezusit: “Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha të tjerat do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).
  • Kaloni kohë me Perëndinë çdo ditë—lexoni Biblën, lutuni dhe dorëzojani Atij ditën tuaj, dhe “Ai do t’ju drejtojë shtigjet tuaja” (Fjalët e Urta 3:6).

Çfarë thotë Bibla…

  • “Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo situatë, me lutje dhe përgjërim, me falënderim, paraqitni kërkesat tuaja para Perëndisë. Dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo kuptim, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6–7).
  • “Zoti është bariu im, nuk do të më mungojë asgjë. Ai më lë të pushoj në livadhe të gjelbra, më shpie pranë ujërave të qeta. Ai ma forcon shpirtin” (Psalmi 23:1–3).