Vizita ime e parë në festivalin Exit të muzikës rrok – i mbajtur pranë një kështjelle të bukur në Novi Sad, një qytet serb shumë i bukur mbi lumin Danub – ishte e paharrueshme. Kishte skena të ndërtuara ngado dhe rrugët ishin të mbushura me turma njerëzish, tenda të mëdha që oshëtinin nga lloje të ndryshme muzike, aromë çevapi, një pjatë tradicionale me mish, dhe një atmosferë vëllazërie, alegrie dhe lirie. Për një moment mendova se nuk do të merrja pjesë.
Unë dhe një shok vullnetar nga Danimarka kishim udhëtuar nga Bosnja për të ndjekur festivalin. U takuam tek sheshi ku mbahej festivali me disa kolegë, të cilët kishin organizuar projekte humanitare në Serbi dhe Kosovë. Plani ishte që të mblidhej një grup prej rreth 50 vullnetarësh, të cilët do të përdornin muzikën për të transmetuar te të rinjtë dashurinë e Zotit, si edhe për të dhënë një mesazh kundër dhunës dhe drogës.
Na kishin premtuar të hynim pa pagesë, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Drejtuesit na ofruan një ulje çmimi, por nuk mund ta hiqnin të gjithë pagesën.
Unë dhe shoku im nuk dinim ç’të bënim. Nuk ishte ndonjë shumë e madhe, por i kishim paratë të kufizuara. Nëse paguanim biletën e hyrjes, rrezikonim të mos kishim paratë e mjaftueshme për t’u kthyer; dhe alternativa tjetër ishte të ktheheshim menjëherë në shtëpi pa bërë asgjë për të cilën kishim ardhur. Ah, sa zili i kishim ata që mbanin byzylykë jeshilë në dorë, të cilët u mundësonin hyrjen.
Pastaj, një grua të cilën nuk e kishim takuar kurrë më parë, u afrua dhe filloi të bisedonte me ne. Kur u prezantuam, ajo thirri, “Oh, kam dëgjuar të flitet për punën tuaj në Sarajevë! Më duhet të shkoj të marr diçka. A mund të më prisni vetëm pak?”
Gruaja, Maria, u kthye pas disa minutash dhe në dorë mbante dy rripa jeshilë, nga një për secilin prej nesh. Ndërsa na i vendoste në dorë, tha: “Kisha menduar të blija disa suvenirë për t’i çuar në shtëpi, por më mirë t’ju jap juve mundësinë të ndiqni festivalin.”
Ky ishte thjesht fillimi i asaj kohe të mrekullueshme që kaluam në festivalin Exit. Kënduam këngë në rrugë dhe sheshe, shpërndamë literaturë kristiane, morëm pjesë në skeçe që transmetonin një mesazh, biseduam pa fund me njerëz të të gjitha moshave dhe kombësive, u lutëm me qindra njerëz, dhe kaluam ditë të paharrueshme me miqtë tanë.
Faleminderit Maria për zemërgjerësinë tënde që na bëri të mundur të merrnim pjesë në festival.