Ai ishte i shtrirë dhe i mbuluar në çarçafët e bardhë të spitalit, i lidhur me një tufë të tubash dhe telash. Kur iu afrova, mezi po e njihja, lëkura e zbehur, faqet e holla, por kur ai hapi sytë dhe më buzëqeshi, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të hidhesha në krahët e tij si gjithmonë. Gjyshi, njeriu që dua më shumë se kushdo tjetër në botë, kishte pësuar një sulm të rëndë në zemër.
Gjyshi ka qenë gjithmonë shoku im më i mirë, si dhe i besuari dhe këshilltari im kur kisha probleme me miqtë apo vëllezërit e motrat. Si fëmija më i vogël në familjen time, isha e trembur, e çuditshme dhe e pasigurt në vete, por gjyshi gjithnjë e dinte se si të më jepte shtysën që kisha nevojë. Po të kisha nevojë për një mik, ai më bashkohej në lojërat e mia. Po të më duhej një shpatull për të qarë, dija ku ta gjeja. Përqafimet e mëdha, të ngrohta të gjyshit ishin vendi më ngushëllues në tokë! Nëse kisha nevojë për qortim, ai e bënte në mënyrë të vendosur, por me të butë. Ai arrinte thellë në zemrën time dhe bënte që unë të dëshiroja të ndryshoj për mirë. Ai gjithashtu lutej shumë dhe më kujtonte shpesh se lutja është mënyra më e sigurt për t’i arritur gjëra të mira.
Isha vetëm 14 vjeç, sa kisha lënë fëmijërinë pas, kur na thirrën në spital. Një nga një, nga më i madhi tek më i vogli, na u lejua të futeshim në dhomën e spitalit të gjyshit për ta parë atë vetëm për një çast.
Pas një buzëqeshje dhe një “përshëndetje” të pafuqishme, por të hareshme, Gjyshi më kapi dorën. “Xhojs, ti ke qenë gjithmonë mbesa ime e parapëlqyer. E di që ndonjëherë e keni të vështirë të gjesh vendin tënd. Ti shpesh ndihesh sikur nuk di çfarë të bësh, dhe shqetësohesh se nuk do të arrish shumë. Por unë dua të dish se Zoti të do dhe ka një plan të veçantë për jetën tënde.”
Pastaj mami më preku me butësi mbi shpatull dhe më nxori nga dhoma. “Gjyshi ka nevojë të pushojë,” tha ajo.
Disa ditë më vonë e pashë përsëri gjyshin. Këtë herë i veshur me kostumin e tij më të mirë, ishte i shtrirë në një arkivol. Pothuajse e tronditur nga aroma e aq shumë lule, kalova çastin tim të fundit me të. Këtë herë sytë e tij blu plot shkëlqim nuk u hapën. Isha e tronditur, plot frikë dhe emocione kur u afrova, por pastaj pashë fytyrën e tij. Buzëqeshja e tij rrezatuese më tregoi se gjithçka ishte në rregull. Gjyshi vdiq sikur kishte jetuar, duke qeshur. Njerëzit folën për ditë me radhë për buzëqeshjen e gjyshit. Organizuesi i funeralit tha se ishte përpjekur, pa sukses, për të ndryshuar shprehjen e gjyshit, sepse nuk ia kishin zënë kurrë sytë një gjë të tillë dhe mendonte se ishte pak e frikshme. Gjyshi la pak për sa i përket parave apo pasurisë; vullneti dhe testamenti i tij i fundit ishte buzëqeshja e paqes dhe kënaqësisë në fytyrën e tij.
Familja ime ka frekuentuar gjithmonë të njëjtën kishë në një qytezë aq të vogël të vendit sa që nuk shfaqet as në hartën e Shteteve të Bashkuara verilindore. Çdo të diel, gjyshi mbërrinte së paku 20 minuta me vonesë. Dhe çdo të diel, një grup prej 30 fëmijësh e ndiqnin pas. Kjo ishte shërbesa e tij e vogël, duke mbledhur fëmijë nga familjet e varfra që jetonin nëpër kodra dhe i sillte ata në kishë.
Njëherë, në një bankë në një qytet të afërt, një biznesmen i ri e dëgjoi babanë tim teksa jepte emrin e tij.
“Hankok?” e pyeti i riu. “Mos e keni gjë Ed Hankok?” Ai i shpjegoi se kur ai ishte i vogël, gjyshi im gjithmonë sigurohej që ai të shkonte në kishë.
“Qe diçka e bukur, por ajo që me të vërtetë më ndryshoi jetën ishte kur ai më tha, ‘E di që vjen nga një familje e varfër dhe nganjëherë merakosesh se nuk do të arrish shumë, por dua të dish se Zoti të do dhe ka një plan të veçantë për jetën tënde.’”
Gjatë gjithë viteve të adoleshencës dhe universiteti, përballur me profesorë ateistë dhe miq skeptikë, kam luftuar me besimin tim dhe nganjëherë pyesja veten se çfarë besoja. Por edhe në momentin tim më të vështira, nuk e harroja kurrsesi kujtimin e buzëqeshjes dhe besimit të gjyshit tim.
Mbi katër dekada më parë, vendosa t’ia jepja jetën time Zotit dhe të shihja se çfarë mund të bënte Ai me një askush si unë. Që atëherë kam punuar në 10 vende duke ndarë dashurinë e Zotit me të tjerët dhe duke i prezantuar Jezusin njerëzve. Kam kapërcyer drojën time, kam folur para grupeve të mëdha, kam drejtuar seminare dhe u kam dhënë mësim qindra fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve. Kam bërë shumë gjëra që Xhojsi e çuditshme 14 vjeçare, nuk i kishte ëndërruar kurrë.
Megjithatë, Zoti ende vazhdon të sjellë njerëz të veçantë në rrugën time. Unë shoh frikën e drojën e tyre, dhe i kap për dore. Pa u menduar, fjalët rrjedhin vetë. “E di që ndonjëherë ndiheni sikur nuk dini çfarë të bëni, dhe shqetësoheni çfarë do të bëheni. Por Zoti ju do dhe ka një plan të veçantë për jetën tuaj.”