(Kjo histori është një ritregim nga Luka 10:38-42.)

Ndodhi nga fund i sezonit. Skuadra Heat kryesonte 2-1 ndaj Lakers-ave, me ndeshjen e katërt që do zhvillohej sot pasdite. Isha shumë e zënë. Gjithmonë isha e zënë, por sot ajo kishte ftuar mysafirë për drekë dhe fjala “e zënë” kishte fituar një kuptim tjetër.

Ajo kishte shumë miq. A nuk është për të qeshur fakti që motra jote më e vogël ka më shumë miq se ti? Nuk më kanë interesuar gjithmonë miqtë e saj–por sidoqoftë, të gjithë duam të lëmë një përshtypje të mirë. Dhe për të lënë një përshtypje të mirë duhet goxha punë.

Sallata ishte pothuajse gati—ishte gjysëm e gatshme, por nuk mendoja se do e vinin re. Megjithatë, biftekët ishin ende të ngrirë, soba ishte rrëmujë, patatet prisnin mbi banak dhe dikush kishte harruar të lante enët e mëngjesit.

Gjërat e para në fillim. Thashë një lutje të shpejtë duke falenderuar këdo që kishte shpikur mikrovalën, vendosa përparësen time të preferuar ngjyrë rozë, dhe u zhyta nëpër sirtarë duke kërkuar qëruesen e patateve. Dita kishte nisur keq, si një seri humbjesh dhe po shpresoja që ndeshja e pasdites të më ngrinte humorin. Nuk do e humbja për asgjë në botë! Disa njerëz thonin se duhet të shikoja WNBA apo Home Shopping Network, por unë kisha qenë gjithmonë si djalë.

Duke pastruar lavamanin dhe duke kërkuar fshesën, e dëgjova teksa hyri më qetësi në shtëpi dhe u rehatua në dhomën e ndenjes me shokun e saj. E dija që duhet të isha me ata, duke u socializuar dhe biseduar me ta, por isha shumë e zënë. Dhe duke e njohur motrën time, e dija se mund të dëgjonte edhe për mua. Ajo nuk është dembele—fare. Por sa herë që vjen ai, ajo dembeloset papritur dhe lë gjithçka për të qëndruar me të.

Ndërsa unë jo! Për mua është më e rëndësishme të kujdesem për shtëpinë sesa të rri me një djalë. Përveç kësaj, çdo djalë që meriton kohën time, duhet ta vlerësojë një vajzë që kërkon të jetë gjithmonë e mirëorganizuar.

Tasi i sallatës më rrëshqiti nga dora dhe u thye! Po tani çfarë të bëja? A i shërbehet të ftuarve me tasa plastikë? Copat e xhamave ishin poshtë këmbëve të mia dhe ende nuk po gjeja fshesën! U përkula të merrja copat e mëdha dhe preva gishtin me njërën prej tyre. Gjaku më rrodhi nga kyçi i dorës drejt mëngëve. Nga dhoma e ndenjes dëgjohej e qeshura e Merit —pa dyshim po kalonte momente të veçanta me shokun e saj.

Peshqiri i enëve ishte i lagur dhe i pisët. E tërhoqa për të pastruar duart kur dy patate më ranë në tokë. Lavamani ishte plot me enë dhe po më merreshin mend. Pse gjithçka po shkonte keq?

“Marta.”

Çfarë donin nga unë? Nxitova për në dhomën e ndenjes.

“Mësues!”—i thashë. “A nuk të shqetëson fakti që ime motër më ka lënë vetëm për t’u kujdesur për ty?” I tregova edhe dorën. “A mund t’i thuash të më ndihmojë pak?”

Ai u ngrit në këmbë dhe preku kyçin tim të dorës. “Marta, je pak e acaruar. E di që ke shumë gjëra në kokë, por gjëja më e rëndësishme në këtë moment nuk është të kujdesesh për mua. Të më dëgjosh Mua—atë që po bën motra jote—është gjëja më e rëndësishme. Pret që Unë të mos e lejoj të më dëgjojë?”

Tunda kokën dhe vështrova dyshemenë. “Jo.” U përtypa. “Nuk besoj.”

Gjaku nuk po rridhte më. Plaga në mënyrë të mrekullueshme ishte shëruar.

“Ulu me ne,” —tha ai. “Dëgjo se ç’kam për të thënë.” Sytë e tij u drejtuan nga qoshja e dhomës dhe Ai buzëqeshi duke thënë: “Të lutem?”

Vëllai ynë do të kthehej në shtëpi nga Spitali Shën Llazari nga momenti në moment dhe kuzhina ishte akoma rrëmujë. Por gjëja më e rëndësishme…

U ula në divan bashkë me motrën dhe mikun e saj. Dëgjova atë që ai kishte për të thënë.

Nuk e dëgjova alarmin e mikrovalës. E harrova fare edhe ndeshjen e madhe që fillonte pas pak minutash.

Isha e zënë.

* * *

Për Kristianët, parajsa është aty ku është edhe Jezusi. Nuk është e nevojshme të spekullojmë sesi do të jetë parajsa. Mjafton të dimë se do të jemi me Të përgjithmonë. Kur e duam dikë me gjithë shpirt, jeta jonë fillon kur jemi pranë atij njeriu; vetëm në shoqërinë e tij ndihemi me të vërtetë të gjallë. Kështu ndodh edhe me Jezusin. Në këtë botë, kontakti ynë me të është pak i turbullt, sepse tani ne nuk mund të shohim qartë. Kjo ndodh sepse ne jemi krijesa të gjora dhe nuk mund të jetojmë gjithmonë në atë lartësi. Por përcaktimi më i mirë për Parajsën është ajo gjendje ku do të jemi gjithmonë me Jezusin dhe asgjë nuk do na ndajë më prej Tij. (William Barclay 1907-1978)