Krishtlindjet e kaluara nuk e sollën ndriçimin magjik që prisja. Isha mërzitur nga komercializmi që përfshin qytetin në muajt që paraprijnë Krishtlindjet. Duke parë reklamat e shumta nëpër revista dhe duke menduar për pamundësinë për t’i bërë dhurata Jezusit, më humbi entuziazmi. Nuk kasha dëshirë të zbukuroja pemën e as nuk doja të kisha ndjenjën e fajit dhe stresin “për t’i dhënë gjërave kuptim” në momentin e fundit.

Ky vit ishte ndryshe. Filluam të përgatiteshim që në Korrik! Çfarë ndryshoi?

Unë dhe fëmijët e mi bëmë plan që t’i bënim Jezusit 1001 dhurata për ditëlindjen e Tij dhe i kemi dërguar edhe disa të tjera që nga ajo ditë. Pas derës është një listë me dhuratat që vendosëm t’i bëjmë dhe tani një pjesë e mirë e tyre është realizuar! Një listë përmban gjërat që kemi bërë për t’u ofruar ndihmë të tjerëve. Një listë tjetër përmban vargjet e Biblës që vendosëm për të memorizuar. Një listë ka numrin e historive të dramatizuara të Biblës, që regjistruam për fëmijë të tjerë. Një listë është për letrat që shkruam për të gëzuar miqtë tanë. Është edhe një tjetër për momentet kur lamë çdo gjë mënjanë për të kaluar më shumë kohë me Jezusin. Këto janë vetëm disa nga dhuratat që do i bëjmë Jezusit për Krishtlindje.

Këtë vit, sezoni i Krishtlindjeve filloi më herët dhe kjo qënka një ide shumë e mirë. Nuk ka ngutje, stres, ndjenja faji për mosrealizimin e projekteve dhe mungesë përqëndrimi. Po arrijmë objektivat e vendosura dhe po përdorim kohën për të bërë Jezusin dhe të tjerët të lumtur. Listat janë pothuajse të përfunduara. Kur të plotësohen tërësisht, secilën prej tyre do ta mbështjellim në një kuti dhuratash dhe do ta vendosim poshtë pemës. Ato janë dhurata që burojnë nga zemra—secila prej tyre përfaqëson kohë, dashuri dhe përpjekje dhe jam e sigurt që Atij do i pëlqejnë shumë.

Ne e dimë se çfarë do të jenë 1001 dhuratat—thjesht një qiri ditëlindjeje. Një qiri që do ta ndezim çdo ditë kur të lutemi që edhe njerëzit e tjerë nëpër botë, të provojnë dashurinë e Jezusit. Këto lutje janë edhe dhurata që ne mund t’ia dhurojmë Atij që ofroi veten e Tij për ne.