Mbaj mend kur mësoja Hebrenjve 11 kur isha fëmijë, e cila shpjegonte me detaje disa mënyra të tmerrshme për të vdekur: “U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut. .” 1

Kjo më bëri të pyesja veten sa shumë e dhimbshme duhet të ishte të vdisje. E dija që isha një frikacak i madh, kur vinte puna te dhimbja, kur u përpoqa të kuptoja dhe do ta zgjidhja mënyrën më pak të dhimbshme për të vdekur. E dini, nuk dua ta turpëroj Zotin duke qenë një frikacak kryekëput.

Tani, i kujtoj shqetësimet e mia të fëmijërisë me dëfrim. Tani e kuptoj që problemi i vërtetë se më ka munguar gjithmonë kuraja. Megjithatë, disa ditë më parë, qëlloi që pashë në përkufizimin e fjalës “kurajë”, teksa po shkruaja një artikull. “Kuraja” e ka origjinën nga fjala frëngjisht cœur, që përkthehet zemër. Një faqe etimologjie thotë se fjala origjinale franceze nënkuptonte “‘zemrën, ndjenjat më të thella, durimin.’ Në anglishten e mesjetës [fjala] përdorej gjerësisht për ‘çfarë kalon [ka] në mendjen dhe mendimet e dikujt,’ pra ‘trimëri,’ por gjithashtu [kuptimin] ‘zemërim, krenari, besim, dëshirat e epshme,’ ose çdo lloj prirjeje.” 2 Sot, fjala kurajë përkufizohet si “forcë mendore ose morale për ndërmarrje aventurash, këmbëngulje dhe përballimin e rrezikut, frikës ose vështirësive të tjera.” 3

Në Bible, ka histori të pafundme burrash dhe grash që kanë bërë gjëra të guximshme, plot kurajë. Hebrenjve 11 liston shumë prej këtyre njerëzve guximtarë. “Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Gedeonin, Barakun, Sansonin, Jefteun, Davidin, Samuelin dhe për profetët, të cilët, me anë të besimit nënshtruan mbretëri, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja..” 4

Duke parë njerëzit e guximshëm të listuar në këtë kapitull, origjina e fjalës “kurajë” merr një kuptim më të madh, zemrat e tyre i ishin përkushtuar misionit të duhur. Këta njerëz kishin diçka të mrekullueshme të përbashkët, burimin e tyre të kurajës.

Është historia e famshme e Biblës që flet për tre djemtë hebre, të cilëve u tha ose të adhuronin një imazh të artë ose të hidheshin në një furrë druri. Djemtë qëndruan stoikë dhe refuzuan. Bibla shkruan çfarë mund të kenë qenë fjalët e tyre të fundit:

“O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë. Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.” 5

E lexoj këtë rrëfenjë në sigurinë e shtëpisë sime, skenë kjo nga e cila na ndajnë mijëra vite, por forca e besimit të tyre duket ende qartë në fjalët e tyre. Mungon plotësisht çdo lëkundje apo përpjekje për të negociuar diçka më pak kërcënuese për veten e tyre. Por të kesh kurajën të përballesh me një përvojë të tillë, mendoj se duhet të kthehesh pak pas. Nuk besoj që prindërit e tyre t’u kenë thënë ndonjëherë, “Një ditë do të të çojnë para një mbreti të frikshëm, dhe aty ka për të pasur një furrë druri, dhe ty do të të duhet të zgjedhësh mes jetës tënde dhe të adhurosh një idhull. Kur të ndodhë kjo gjë, mos harro të zgjedhësh furrën.”

Përkundrazi, mendoj se ata i thanë diçka më shumë përmes rreshtave, “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.” 6 Dhe, “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.” 7

Prindërit e Shadraku, Meshaku dhe Abednegos nuk mund ta dinin se çfarë ishte rezervuar për ta, ose kur dhe si do të kishin nevojë këta djem të vepronin me guxim. Por ka një gjë që ata e dinin se mund të kontrollonin, çfarë kishin brenda zemrat e fëmijëve të tyre. “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.” 8

Edhe pse ne mund të mos jemi të rrethuar nga i njëjti lloj rreziku apo vështirësie fizike sot, ne të gjithë do të kalojmë momente, të cilat do të jenë emocionalisht ose mendërisht të vështira dhe do të kërkojnë kurajë morale, vullnetin për të bërë atë që e dimë se është e drejtë. Dhe unë mendoj se ajo që do të bëjmë në momente të tilla mund të jetë shumë e thjeshtë. Mendoj se do të jetë ajo që kemi në zemrat tona, që do të përcaktojë fuqinë e kurajës sonë.

Të gjithëve u pëlqen një histori e bukur heronjsh. Por në jetën e vërtetë, ti nuk e ke në dorë të vendosësh nëse do të të vijë mundësia për një moment të madh heroik, nëse do të shpëtosh njeri, apo në një mënyrë apo tjetrën do të bëhesh heroi i ditës, por ti mund të kontrollosh çfarë ke në zemrën tënde. Ja se si mund të përgatitesh për këto momente më të mëdha se vetë jeta, si edhe për momentet e jetës së përditshme, që kërkojnë kurajë.

  1. Hebrenjve 11:37–38
  2. http://www.etymonline.com/index.php?term=courage
  3. http://www.merriam-webster.com/dictionary/courage?show=0&t=1305771775
  4. Hebrenjve 11:32–34
  5. Danieli 3:16–18 NLT
  6. Ligji i Përtërirë 6:5
  7. Fjalët e urta 18:10
  8. Fjalët e urta 4:23