Dimri ishte shumë i gjatë në Gadishullin e Ballkanit. Sa e kemi pritur ardhjen e pranverës! Më në fund, lulet e bukura çelën dhe pemët nxorrën sythet dhe pastaj shpërthyen në një jetë të re. Zogjtë kënduan himnet e tyre duke njoftuar se dimri kishte mbaruar sërish.

Çdokush, mendoj, e pret me padurim këtë kohë kur krijimi i bukur i Zotit mund të shijohet pa masë–çdokush, përveç alergjikëve.

Ne, të pafatët, i trembemi ardhjes së pranverës. Gjërat e bukura që presim ia lënë vendin shqetësimit dhe ankthit. Pjalmi, një nga mrekullitë që Zoti ka krijuar dhe mbjellësi i jetës, bëhet armiku ynë kryesor. Shëtitjet e gjata në pyll, xhirot me biçikletë, ecjet nëpër livadhe, madje edhe buqetat e luleve në shtëpi, nuk diskutohen aspak.

Kam vuajtur nga alergji të tilla për shumë vite. Çdo pranverë filloja e teshtija, hundët më rridhnin pa pushim, dhe sytë më lotonin aq shumë sa më vështirësohej shikimi. Kur fëmijët e mi më sillnin lule për dhuratë, buzëqeshja dhe mbaja frymën derisa t’ia kaloja me shpejtësi bashkëshortit tim që t’i largonte fshehtas. Por këtë verë, isha e vendosur për ta luftuar alergjinë time–nëpërmjet “terapisë së mirënjohjes”.

Sa herë që isha gati të teshtija apo të përlotesha, bëja një përpjekje me mendjen time për të falenderuar Zotin për diçka. Një ditë, Ai më tha se do të më shëronte. Që nga ai moment, e falenderova për atë premtim sa herë që ndjeja të më afrohej alergjia. Dhe nga ai moment, u shërova. Alergjitë më ishin zhdukur. Që atëherë, pranverat kanë qenë ndryshe për mua. Tani shijoj shëtitjet e gjata me biçikletë me bashkëshortin tim, ecjet nëpër livadhe, madje edhe aromën që ndiej duke u marrë erë luleve.

U bëra pjesëtare e natyrës hyjnore të Zotit, 1 përfshirë edhe fuqinë e tij shëruese. Dhe si shpërblim, mësova të jem mirënjohëse.

  1. Shih 2 Pjetrit 1:4.