Po ngisja makinën për në shtëpi dhe e kalova kthesën time. E njoh mirë lagjen dhe e jam kthyer në atë rrugë me mijëra herë. Por u ngatërrova nga peizazhi në ndryshim.

Ishte shembur një qendër e pashfrytëzuar tregtare and buldozerët nuk kanë pushuar gjithë javën. Papritmas, ndërtesa në cep nuk ishte më atje, dhe kështu e kalova pa e vënë re kthesën time. Nuk e kisha kuptuar se isha mësuar të kthehesha majtas tek ajo ndërtesë.

Fillova të mendoja mbi peizazhin e jetës sime dhe se sa e vështirë ishte të pranoje ndryshimet. Më pëlqen të kaloj në rrugët e njohura. Më pëlqen ta njoh rrugën time. Më pëlqen të shëtis pa e vrarë mendjen për rrugën. Ndihem mirënjohës për teknologjitë e reja që na sigurojnë udhëzimet se nga duhet të kthehemi sa herë që kaloj nëpër zona të reja, sepse unë nuk kam gjithmonë një sistem drejtimi në makinë që të lexojë hartat dhe të më ndihmojë të dalloj sinjalistikën rrugore. Por njohja e mirë mund të bëhet gjithashtu një sistem drejtimi.

Unë jam rritur në fshat dhe mësova të përdor pemët dhe kodrat si pika referimi në vend të semaforëve dhe tabelave të qarkullimit. Unë i lexoj shumë rrallë tabelat, vetëm kur jam në një territor të panjohur. Më pëlqen të ndjek në mënyrë të pandërgjegjshme rrugën ku kam udhëtuar mijëra herë duke u orientuar nga peizazhet pamore.

Më ka ndodhur disa herë në jetë, kur jam gjendur përballë ndryshimeve të papritura, gjatë së cilave peizazhi im shpirtëror është rindërtuar plotësisht. Jam munduar të zbuloj strukturat dhe të kuptoj vendin tim në fushën time të re. E vetmja mënyrë për të gjetur rrugën, ishte të dëgjoja zërin e Zotit, si në programin e hartave Google Maps, “Në 10 metra, kthehuni majtas në Broduej…”

Zoti mund të na udhëheqë përmes peizazheve në ndryshim dhe të na çojë në shtëpi, pavarësisht se sa gjëra kanë ndryshuar. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është t’i drejtohemi Atij dhe t’i kërkojmë ndihmë, dhe Ai mund të na japë një plan hap pas hapi për ta kapërcyer atë. Ndryshimet na detyrojnë të dalim nga e zakonshmja, t’i kushtojmë vëmendje vendit ku po shkojmë, dhe të lexojmë me kujdes tabelat.

Për momentin procesi i shembjes në rrugë duket si një rrëmujë e madhe, por dikush e di se çfarë po bën. Dikush e ka një plan, dhe si përfundim, unë do të ndihem mirënjohës për diçka të re dhe të mirë në lagjen time. Mënyra e vetme për t’u përmirësuar është të pranosh ndryshimet. Ndërkohë, unë duhet të jem pak më i vetëdijshëm gjatë rrugës për në shtëpi dhe të mbaj mend se ku duhet të marr kthesën. Mos mbështetem më tek “piloti automatik.”